Maresca dëshiron ta largojë yllin e skuadrës - Gazeta Express
string(44) "maresca-deshiron-ta-largoje-yllin-e-skuadres"

Futboll

Gazeta Express

27/09/2025 9:38

Maresca dëshiron ta largojë yllin e skuadrës

Futboll

Gazeta Express

27/09/2025 9:38

Portieri i kombëtares spanjolle, Robert Sanchez, duket se do të largohet nga Chelsea në merkaton e janarit.

Sanchez nuk e ka pasur kurrë besimin e plotë të trajnerit të Bluve, Enzo Maresca, pavarësisht rolit të tij vendimtar në triumfin e Chelseat në Botërorin e Klubeve të FIFA-s këtë verë.

Megjithëse startoi në 32 nga 38 ndeshjet e Premier League sezonin e kaluar, situata nuk dukej asnjëherë e qëndrueshme, dhe Maresca gjatë verës synoi disa portierë të tjerë.

Pas dështimit për të siguruar shërbimet e Gianluigi Donnarummas ose Mike Maignanit, Maresca u detyrua të qëndronte me Sanchez-in, por situata është përkeqësuar sërish.

Disa shenja pozitive u zhdukën fundjavën e kaluar, kur faulli i tij i pakujdesshëm ndaj Bryan Mbeumo i solli kartonin e kuq pas vetëm gjashtë minutash në një Old Trafford të lagur nga shiu.

Maresca u detyrua të bënte disa zëvendësime për të mbuluar mungesën e Sanchez-it, dhe kjo mund të ketë qenë paraqitja e tij e fundit si portier i Premier Leagues.

Sipas raportimeve nga portali spanjoll i merkatos, Fichajes.net, Chelsea dëshiron ta largojë Sanchez-in në janar, me synimin për të ringjallur pistën e Maignanit verën e ardhshme si lojtar i lirë.

Maresca është shtytësi kryesor pas largimit të Sanchezit dhe ai shihet më i mundshëm të rikthehet në Spanjë për një transferim me çmim të ulët.

Portieri i lindur në Katalonjë kaloi tre vite te të rinjtë e Levantes, por nuk luajti asnjë ndeshje me ekipin e parë, para se të transferohej te Brighton & Hove Albion në vitin 2013.

Sanchez po lufton gjithashtu për të mbetur pjesë e planeve të Luis de la Fuentes për Kupën e Botës 2026, pavarësisht se aktualisht shihet si zgjedhja e tretë.

Unai Simon mbetet portieri numër 1 pas rikthimit nga dëmtimi, me David Raya si zëvendësues, falë formës së tij të shkëlqyer te Arsenal në 12 muajt e fundit.

Alex Remiro u thirr për dy ndeshjet kualifikuese të shtatorit dhe aktualisht ka epërsi ndaj Sanchezit, por ky i fundit ka disa muaj në dispozicion për të rikthyer veten në planet e De la Fuentes./GazetaExpress/