Shtetet e Bashkuara thanë se do të revokojnë vizën e presidentit kolumbian Gustavo Petro pasi ai doli në rrugët e Nju Jorkut të premten në një demonstratë pro-palestineze dhe u bëri thirrje ushtarëve amerikanë të mos i bindeshin urdhrave të Presidentit Donald Trump.
“Ne do ta revokojmë vizën e Petros për shkak të veprimeve të tij të pamatura dhe nxitëse”, postoi Departamenti i Shtetit në X.
Petro, duke iu drejtuar një turme protestuesish pro-palestinezë jashtë selisë së OKB-së në Manhattan, bëri thirrje për një forcë të armatosur globale me përparësi çlirimin e palestinezëve, duke shtuar: “Kjo forcë duhet të jetë më e madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”.
“Kjo është arsyeja pse nga këtu, nga Nju Jorku, u kërkoj të gjithë ushtarëve të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të mos i drejtojnë armët e tyre drejt njerëzve. Mos u bindni urdhrave të Trump. Binduni urdhrave të njerëzimit”, tha Petro në spanjisht.
Reuters, që raportoi lajmin, tha se nuk mundi të konfirmonte menjëherë nëse Petro ishte ende në Nju Jork. Zyra e tij dhe ministria e jashtme e Kolumbisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, transmeton Gazeta Express.
OKB përplaset për luftën në Gazë
Administrata Trump ka qenë duke u marrë me forcë kundër zërave pro-palestinezë, ndërsa vende si Franca, Britania, Australia dhe Kanadaja kanë njohur shtetin palestinez – lëvizje që ka zemëruar Izraelin dhe aleatin e saj SHBA-në.
Petro, presidenti i parë i majtë i Kolumbisë dhe një kundërshtar i zëshëm i luftës së Izraelit në Gaza, e kritikoi Trump në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën, duke thënë se udhëheqësi i SHBA-së ishte “bashkëpunëtor në gjenocid” në Gaza dhe duke bërë thirrje për “ndjekje penale” për sulmet me raketa të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për transport droge në ujërat e Karaibeve.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke iu drejtuar asamblesë të premten, denoncoi vendet perëndimore për përqafimin e shtetësisë palestineze, duke i akuzuar ato se po dërgojnë mesazhin se “vrasja e hebrenjve ia vlen”.
Izraeli filloi luftën e tij kundër Hamasit pas një sulmi të udhëhequr nga grupi militant palestinez më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 njerëz, me 251 të marrë peng. Që atëherë, fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 65,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, dhe ka zhvendosur të gjithë popullsinë e enklavës së ngushtë.
Ekspertë të shumtë të të drejtave thonë se kjo përbën gjenocid, një akuzë e mohuar me zemërim nga Izraeli, i cili thotë se lufta është në vetëmbrojtje.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, iu drejtua OKB-së me video të enjten, pasi administrata Trump tha se nuk do t’i jepte vizë për të udhëtuar në Nju Jork.
Zyra e Abbasit tha në atë kohë se ndalimi i vizës për të shkelte marrëveshjen e vitit 1947 për selinë e OKB-së, sipas së cilës SHBA-së në përgjithësi i kërkohet të lejojnë hyrjen e diplomatëve të huaj në OKB. Megjithatë, Uashingtoni ka thënë se mund të refuzojë vizat për arsye sigurie, ekstremizmi dhe politike të jashtme.
Marrëdhëniet SHBA-Kolumbi nisën të përkeqësoheshin menjëherë pasi Trump u rikthye në detyrë në janar, kur Petro refuzoi të pranonte fluturime ushtarake që transportonin të dëbuarit në kuadër të goditjes së Trump ndaj imigracionit.
Petro tha se qytetarët e vendit të tij po trajtoheshin si kriminelë. Por ai shpejt e ndryshoi qëndrimin, duke rënë dakord të pranonte migrantët, pasi të dy vendet kërcënuan me tarifa ndaj njëri-tjetrit dhe pasi SHBA-të anuluan terminët për viza për kolumbianët.
Trump këtë muaj e vendosi Kolumbinë në një listë vendesh që Uashingtoni thotë se nuk kanë arritur të zbatojnë marrëveshjet e tyre kundër narkotikëve.