Engelbert Zefaj, ekspert i ekonomisë në emisionin EURO n’T7 me Menduh Abazin, ka deklaruar se fushata aktuale është shumë e zbehtë dhe me pak interesim nga qytetarët edhe për shkak se në zgjedhjet e fundit nuk u prodhua as rezultat e as zgjidhje të problemeve të tyre.
Sipas tij, qytetarët po shihet se po humbin besimin tek liderët politikë se me zgjedhje mund të bëjnë zgjidhje.
“Edhe përkundër rezultateve që prodhuan zgjedhjet nacionale, ku LVV mori mbi 40%, nuk u arrit as të bëhet kuvendi e as qeveria e as të zgjidhen problemet tona. Tash qytetarët po thonë: ne ua dhamë votat politikanëve, por ata nuk bënë asgjë. Zgjedhjet më nuk po shihen si diçka që po ua zgjidhin problemet qytetarëve. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 9 shkurt, ne ende nuk kemi as kuvend e as qeveri, qytetarët po thonë se vota ime nuk po prodhon zgjidhje dhe nuk ia vlen me pas entuziazëm për zgjedhje”, ka thënë Zefaj.
Në anën tjetër sipas tij, qytetarët po ashtu janë lodhur nga premtimet megalomane të politikanëve e në rastin konkret të kryetarëve të komunave që së fundi ishin për ndërtim të autostradës për Gjilan, pastaj ngrohjeve qendrore me gaz në Ferizaj, aeroportit në Gjakovë e ngrohjeve siç ishte më herët me thelba të kumbullave.
“Më nuk po ka shumë njerëz në tubime, ato po janë shumë të dobëta, qytetarët janë lodhur, u ka humbur besimi për shkak që premtimet e mëhershme nuk janë realizuar. Pra s’ka më tubime masive, fushata po koncentrohet në rrjete sociale. Në rastin e zgjedhjeve lokale kandidatët për asamble si duket po punojnë e lobojnë fshehurazi duke mos dashur që për fushatën e tij të mos dinë as kandidatët tjerë nga partia e tij”, ka shtuar Zefaj.