Amad Diallo do të mungojë në ndeshjen e Manchester Unitedit në Premierligë ndaj Brentfordit nesër për shkak të një vdekje në familje.
Sulmuesi ka marrë leje për arsye humanitare nga trajneri Ruben Amorim, i cili i ka dhënë Amadit sa kohë i nevojitet për të përballuar humbjen.
Përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë ka qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kësaj kohe, ndërsa burime nga United nuk janë të sigurt se sa kohë do t’i duhet 23-vjeçarit për t’u rikthyer në skuadër, raporton “The Mirror”.
“Licha [Lisandro Martinez] është jashtë. Casemiro është jashtë për shkak të kartonit të kuq. Amadi nuk është këtu sepse dikush nga familja e tij ka ndërruar jetë. Ne i japim gjithë mbështetjen Amadit dhe e kuptuam që ai kishte nevojë të kthehej në shtëpi”, tha Amorim.
Amad ka startuar në katër ndeshjet e fundit të Premierligës për Unitedin dhe ka luajtur si wing-back dhe në një rol më ofensiv, siç bëri edhe në fitoren 2-1 ndaj Chelseat në “Old Trafford” javën e kaluar.
Mungesa e detyruar e Amadit do të bëjë që Diogo Dalot, i cili mungoi në dy ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, të rikthehet në formacion si wing-back i djathtë.
Futbollisti portugez u rikthye në stërvitje të enjten, por Noussair Mazraoui ka mbetur jashtë.
“Ai [Mazraoui] është gjithashtu jashtë. Nuk do të rikthehet deri në pushimin për ndeshjet ndërkombëtare”, zbuloi Amorim.
Më tutje në sulm, Matheus Cunha, i cili do të nisë për herë të parë që nga dëmtimi në tendinë, pritet të luajë përkrah Bryan Mbeumos si një nga sulmuesit më të avancuar pas Benjamin Seskos.
Për Mbeumon, kjo do të jetë kthimi në klubin ku ai ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij, ndërsa Amorim dha një vlerësim shumë pozitiv për sulmuesin kamerunas:
“Është shumë e rëndësishme për gjithçka që ai ka bërë. Drita që ai sjell në dhomën e zhveshjes. Nuk është ai që flet shumë, por gjithmonë është aty për të na ndihmuar. Vrapon shumë, bën presing, është një kërcënim ndryshe nga sezoni i kaluar. Jam më shumë se i kënaqur me Bryan”.
Në lidhje me vendimet e tjera që do të përballet Amorim, Manuel Ugarte dhe Kobbie Mainoo duket se do të konkurrojnë për një vend pranë Bruno Fernandes me Casemiron jashtë loje./GazetaExpress/