Dronë serbë mbi Kosovë? KFOR mohon se ka identifikuar diçka që “mund të ndikojë në sigurinë” e vendit - Gazeta Express
string(99) "drone-serbe-1mbi-kosove-kfor-mohon-se-ka-identifikuar-dicka-qe-mund-te-ndikoje-ne-sigurine-e-vendit"

Lajme

Gazeta Express

26/09/2025 15:34

Dronë serbë mbi Kosovë? KFOR mohon se ka identifikuar diçka që “mund të ndikojë në sigurinë” e vendit

Lajme

Gazeta Express

26/09/2025 15:34

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, sot para mediave tha se është shkelur hapësira ajrore e Kosovës nga dronë që dyshojnë se janë futur nga Serbia. Një deklaratë të tillë e kishte bërë edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

Hoxha tha për këto shkelje e kanë informuar KFOR-in, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Por, misioni i NATO’s në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se nuk kanë identifikuar dronë që mund të ndikojnë në sigurinë e vendit.

“Ne nuk kemi identifikuar shkelje nga dronë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kështu që KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe aseteve në dispozicion të tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR.

KFOR tha se është thelbësore që të gjitha aktivitetet në hapësirën ajrore, veçanërisht afër vijës kufitare me Serbinë, “të koordinohen në mënyrë të përshtatshme me KFOR-in për të parandaluar tensionet dhe për të garantuar sigurinë”.

“KFOR-i mbetet në kontakt të ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. Dhe vazhdon aktivitetet e tij të përditshme, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij t të OKB-së, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

Hoxha tha se kohët e fundit “kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës”.

“Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.