Luis Buñuel Portolés (1900 – 1983), regjisor spanjollo-meksikan, i cili kishte vepruar në Francë, Meksikë dhe Spanjë. Konsiderohet njëri prej filmbërësve më me ndikim i të gjitha kohërave. Vepra e tij njihet për surealizmin avangard, të shoqëruar me komentime politike.
Salvador Dalí (1904 – 1989), ishte një artist surrealist spanjoll i njohur për shkathtësitë e tij teknike, vizatimin preciz dhe imazhet mahnitëse bizare në veprën e tij.
[Paris,] 22 mars 1929
I dashur Salvador,
Jam shumë i zënë dhe krejtësisht i dhënë pas filmit tim. Kështu që do të të shkruaj vetëm rreth kësaj gjëje. Amic de les Arts, i mahnitshëm. Do të flasim më gjatë. Tash kam një studio ku mund të punoj1. Batcheff2 dhe një gjerman, i ri, i fortë, biond, nofullgjerë, fit, shumë elegant, që ka pranuar të luajë rolin e të riut që pret në plazh dhe do ta bëjë këtë falas3. Ka punuar një vit për Ufa-n4. Do të thotë e di çfarë po bën. Menaxheri i produksionit dhe drejtori i fotografisë erdhën të hënën dhe do të fillojnë të bëjnë gati gjithçka. Ende nuk kam marrë asgjë. Kam gjetur një vajzë që njihja dikur, me një kokë të mrekullueshme, që të luajë rolin e vajzës që mbledh dorën nga rruga. Dhe vajza që dua për rolin kryesor po vjen tash. Nuk do të them asgjë më shumë rreth kësaj derisa të mund të të them në çfarë përfundimi kemi ardhur. Kam parë vetëm një foto të saj.
Duhet të kujdesesh për thneglat. Është e pamundshme t’i gjesh këtej rrotull. Përpiqu t’i marrësh ditën që do të nisesh dhe mund t’i sjellësh në studio sapo të mbërrish në Paris dhe unë do t’i filmoj. Ke kohë deri më datën 9 t’i gjesh dhe t’i sjellësh këtu. Pas asaj date do të jetë vonë. Po mbështetem te ti që të mos detyrohem të vë vemje apo miza apo lepuj në vrimën e dorës. Mund të sjellësh thneglat në një kuti druri, ta mbyllësh mirë përveç një vrime të vockël të mbuluar me një rrjetë të metaltë. Vër pambuk në kuti. Meqë do t’i marrësh ditën që do të nisesh, mendoj se do të mbijetojnë për disa ditë. Kërkoji ndonjërit prej vendasve të Cadaquesit të të ndihmojë dhe mund ta paguash mirë, ngase është e përfshirë në buxhet. Babai yt do të jetë në gjendje të të këshillojë sa ta paguash dhe çka duhet të bësh. Mendoj se në Cadaques do të jetë gjithçka më e lehtë. Mund të bësh një provë duke mbledhur ca sosh dhe duke i mbajtur për ca ditë në pambuk që të shohësh nëse po mbijetojnë.
Po llogaris në ty, por kjo nuk do të thotë se nuk do të përpiqem të gjej ca sosh këtej rrotull, megjithëse nuk ma ha mendja se do të jetë e lehtë.
Ylli5 i filmit erdhi tashmë. Do të jetë ajo. Shtat të shkurtër provokativ. Shprehje bukur të mirë. Mund të mos e pëlqesh gjithaq, ti. Por mendoj se mund të punoj me të. Do t’ia jap gjysmën e asaj që ajo po kërkon. Është më e mira e një fati të keq. Me dashuri dhe më shkruaj,
Luis
PS
Batcheff i ka kërkuar 10.000 franka, që është një shumë serioze. Kisha mendjen të mos e pranoja, por me gjithë këto punë që na presin gati se po më lënë mendtë, kështu që ma ha mendja se në fund do ta marr. E thirra. Nesër do ta marr vesh saktësisht.
Shënime:
1 Studio Billancourt, Paris, e themeluar nga Henri Diamant-Berger, më 1922.
2 Pierre Batcheff (1901–32), aktor francez me origjinë ruse, të cilin Bunel e kishte takuar teksa po punonte në filmin Sirena e Tropikëve.
3 Rol i luajtur në fund nga Robert Hommet (1909–58), aktor francez.
4 Universum Film, studio filmike më e madhe gjermane, e vendosur në Berlin më 1917.
5 Fano Messan (1902–98), aktore dhe skulptore franceze.
/Marrë nga ‘Luis Buñuel: A Life in Letters’, Bloomsbury, 2019
/Gazeta Express