Një ngjarje e rëndë u parandalua në fshatin Kosmaç të Vaut të Dejës, falë ndërhyrjes në kohë të Policisë. Një 53-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi dhunoi fizikisht një shtetas dhe tentoi ta godiste me thikë.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është Ardian Garubi, i cili ka precedent penal për shkatërrim prone.
Ai akuzohet se më herët ka dëmtuar pronat e një 63-vjeçari, duke i thyer xhamat e furgonit, vetratën e dyqanit dhe një automjet tjetër. Po ashtu, dyshohet se e ka kanosur 63-vjeçarin dhe familjarët e tij, duke mbajtur në dorë një sëpatë.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3 thika dhe 1 sëpatë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kosmaç, një 53-vjeçar kishte dhunuar fizikisht një shtetas dhe e kishte ndjekur me mjet prerës në dorë, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve profesionale, është kapur dhe arrestuar shtetasi:
A.G., 53 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës.
Dje, ka kallëzuar një 28-vjeçar se ky shtetas e ka goditur me grushte dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta.
Gjithashtu, dje, ka kallëzuar një 63-vjeçar, se gjatë muajve prill dhe shtator 2025, shtetasi A. G. i ka thyer xhamat e furgonit dhe të vetratës së dyqanit dhe ka dëmtuar një automjet tjetër, ndërsa më datë 23.09.2025, e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. G., shërbimet e Policisë kanë gjetur 4 mjete prerëse (3 thika dhe 1 sëpatë), të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet në njoftim.