Rreth 260 persona të dyshuar për mashtrime kibernetike janë arrestuar në një operacion të fshehtë të koordinuar nga Interpol, i zhvilluar në 14 vende afrikane dhe i financuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Operacioni, pjesë e Projektit të Përbashkët Afrikan kundër Krimit Kibernetik, kishte në shënjestër rrjete kriminale që përdornin mediat sociale dhe platformat dixhitale për të mashtruar njerëz nëpërmjet mashtrimeve romantike dhe të ashtuquajturit “sextortion” – skema shantazhi me përmbajtje eksplicite.
Sipas Interpolit, janë identifikuar mbi 1,400 persona të prekur nga mashtrimi në vende si Gana, Kenia, Angola dhe të tjera, ndërsa humbjet financiare të raportuara arrijnë në rreth 2.8 milionë dollarë (afro 2.1 milionë paund).
“Jemi të përkushtuar për të çmontuar grupet kriminale që shfrytëzojnë individë të cenueshëm në internet”, deklaroi Cyril Gout, drejtori ekzekutiv në detyrë i Shërbimeve Policore në Interpol.
Gana: 68 të arrestuar, 108 të prekur dhe 70,000 USD të rikuperuara
Në Gana, autoritetet arrestuan 68 persona, sekuestruan 835 pajisje dhe identifikuan 108 të prekur nga mashtrimi. U rikuperuan 70,000 dollarë nga një total humbjesh prej 450,000 dollarësh. Mashtruesit përdornin skema si tarifa të rreme për doganë apo dërgesa me korrier, si dhe regjistrime të fshehta të bisedave intime për shantazh.
Senegal: Rrjete me identitete të famshëm për të mashtruar njerëz
Në Senegal, policia arrestoi 22 persona dhe zbuloi një rrjet që imitonte personazhe të famshëm për të manipuluar emocionalisht individët në rrjetet sociale dhe aplikacionet e takimeve. U identifikuan 120 të prekur nga mashtrimi, ndërsa dëmi llogaritet në 34,000 dollarë. U sekuestruan 65 pajisje, dokumente të falsifikuara dhe të dhëna për transfertat e parave.
Në Bregun e Fildishtë, u arrestuan 24 persona, sekuestruan 29 pajisje dhe u identifikuan 809 të prekur nga mashtrimi. Rrjetet kriminale përdornin profile të rreme online për të shantazhuar me publikimin e përmbajtjeve komprometuese.
Në Angola, u arrestuan 8 persona dhe u identifikuan 28 të prekur, si vendas ashtu edhe ndërkombëtarë. Autoritetet zbuluan përdorimin e dokumenteve të falsifikuara për krijimin e identiteteve fiktive, duke mundësuar transaksione të paligjshme dhe fshehjen e gjurmëve.
Operacioni në 14 vende afrikane
Përveç vendeve të përmendura, operacioni përfshiu gjithashtu:
Beninin, Burkina Fason, Gambinë, Guinenë, Kenian, Nigerinë, Ruandën, Afrikën e Jugut, Ugandën dhe Zambinë.
Gjatë aksionit të zhvilluar mes korrikut dhe gushtit, Interpol identifikoi adresa IP, infrastrukturë dixhitale, domena dhe profile rrjetesh sociale të lidhura me rrjetet kriminale. Si rezultat, u shkatërruan 81 grupe krimi kibernetik dhe u sekuestruan disqe USB, karta SIM dhe dokumente të falsifikuara.