Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është zyrtarisht i lirë, pas përfundimit të një procesi penal të gjatë për shpërdorim detyre. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 16 shtator 2025 ta dënojë Dakon me 2 vite e 8 muaj burg, për veprime të paligjshme gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Durrësit.
Megjithatë, duke përfshirë periudhën e qëndrimit në paraburgim dhe më pas në arrest shtëpiak që nga qershori i vitit 2023, si dhe një qëndrim disa ditor në spital për arsye shëndetësore, Dakos i mbeteshin për të kryer vetëm 10 ditë burg.Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, çdo ditë e shtruar në spital për arsye mjekësore llogaritet njësoj si një ditë burgu. Për shkak të problemeve kardiake dhe të tjera shëndetësore, Dako u shtrua për katër ditë në QSUT. Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve i dha leje për sjellje të mirë dhe korrektësi, çka bëri që ai të mos kryente asnjë ditë të vetme në izolim fizik në burg.