Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”, duke zbuluar një magazinë ku fshihej lëndë narkotike dhe përgatitej për shitje në doza.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan 9 kilogramë Cannabis Sativa, një sasi kokaine, 2 armë zjarri, 2 armë të ftohta, 2 automjete, 6 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në pranga ranë 5 persona, Xhoi Zina, Redion Kuqi, Erdi Gjiriti, Ardit Citaku dhe Angjelina Koçi.
Kontrolli u krye në një magazinë në rrugën “Myslym Keta”, pronë e Redion Kuqit me aktivitet në prodhimin e paletave të drurit.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.
Në rrugën “Myslym Keta”, gjatë kontrollit në magazinën e shtetasit R. K., me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë. Nga hetimet dyshohet se sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga shtetasi Xh. Z., në bashkëpunim me shtetasen A. K.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në magazinë u konstatuan shtetasit A. C. dhe E. Gj. Gjatë kontrollit fizik, shtetasi E. Gj. iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.