Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, pritet që javën e ardhshme të marrë vendim për pezullimin ose jo të Izraelit, por shumica e anëtarëve të komitetit ekzekutiv të saj merret vesh se janë pro kësaj mase, raporton gazeta e njohur britanike, “The Times”.
Një panel i këshilltarëve në Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s që ta pezullojnë Izraelin, pasi një Komision Hetues i OKB-së konkludoi se Izraeli është duke kryer gjenocid në Gaza, thuhet në artikullin e të përditshmes britanike.
Burimet i kanë thënë gazetës se UEFA do të marrë një vendim javën e ardhshme dhe se një shumicë e madhe e anëtarëve ekzekutivë si dhe federatave të vendeve anëtare janë në favor të pezullimit – duke e përmendur pezullimin e Rusisë nga garat evropiane që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, raporton Nacionale.
UEFA, organizatë në të cilën Izraeli është anëtar që nga viti 1994, ka mbajtur diskutime serioze në nivelin më të lartë këtë javë për veprimet e Izraelit në Gaza dhe për atë se si duhet të reagojë institucioni më i lartë evropian i futbollit ndaj kësaj situate.
Gazeta “The Times” muajin e kaluar mori vesh se disa klube evropiane të futbollit e kishin pyetur UEFA-n nëse ekzistonte ndonjë mënyrë që ato ta shmangin ballafaqimin me ekipe izraelite.