Turizmi në Shqipëri ka shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit, me një fluks në rritje të vizitorëve të huaj që zgjedhin vendin tonë si destinacion për pushime dhe udhëtime.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë muajit gusht numri i vizitorëve të huaj u rrit me gati 10%, duke arritur në 2.381.864 hyrje.
Në total, hyrjet në territorin shqiptar, duke përfshirë shtetasit shqiptarë, arritën në 3.368.104, shënuar një rritje prej 8,4% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Ndërkohë, daljet nga Shqipëria u rritën me 12,1%, duke arritur në 3.335.824, ku 994.573 prej tyre janë shtetas shqiptarë, me një rritje prej 10,3%.
Sipas rajoneve, 97% e vizitorëve të huaj vijnë nga Europa, ku Europa Jugore zë vendin e parë me 77% të totalit, e ndjekur nga Europa Perëndimore me 9% dhe Europa Qendrore/Lindore me 8%.
Qëllimi i hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri në 99% të rasteve është për arsye personale, përfshirë turizmin dhe vizitat te të afërmit. Megjithatë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rritje të ndjeshme prej 23,3%.
Destinacionet më të frekuentuara mbeten bregdeti adriatik dhe jonian, me qytetet Sarandë, Durrës, Vlorë dhe Himarë që tërheqin mijëra vizitorë nga Evropa dhe më gjerë. Përveç plazheve, rritje të konsiderueshme po shënojnë edhe zonat malore dhe historike, duke pasuruar ofertën turistike dhe duke tërhequr një gamë më të gjerë vizitorësh gjatë gjithë vitit.