Dosja e Prokurorisë ndaj 7 të arrestuarve: Si u bë transportimi, kamuflimi i narkotikut e përzierja me sodë bikarbon deri te shitja nëpër shtete të ndryshme? - Gazeta Express
string(154) "dosja-e-prokurorise-ndaj-7-te-arrestuarve-si-u-be-transportimi-kamuflimi-i-narkotikut-e-perzierja-me-sode-bikarbon-deri-te-shitja-neper-shtete-te-ndryshme"

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 14:30

Dosja e Prokurorisë ndaj 7 të arrestuarve: Si u bë transportimi, kamuflimi i narkotikut e përzierja me sodë bikarbon deri te shitja nëpër shtete të ndryshme?

Lajme

Gazeta Express

25/09/2025 14:30

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktim të masës së paraburigmit ndaj të dyshuarve: Astrit Kazmi, Argjend Qupevaj, Arben Qupevaj, Albin Qupevaj, Fatmir Mujaj, Visar Muriqi dhe Ekrem Bajrami, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Krimi i organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shprëndarja dhe shitja e pautorizuar e narkotikëve”, si dhe për “Shpëlarje të parave”.

Shtatë të dyshuarit u arrestuan në aksionin e së mërkurës (24 shtator 2025) i njohur si “Qielli i thyer” dhe ndaj të njëjtëve po mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar Dosjen e Prokurorisë, në të cilën në pikën e parë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit në periudhën kohore nga fillimi i vitit 2020 e deri më 23 shtator 2025 në Kosovë dhe shtete tjera, me dashje dhe me dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar dhe qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të shitblerjes së narkotikëve, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, marrin pjesë aktivisht në veprimtari kriminale të grupit të organizuar kriminal me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe transportimit të substancave narkotike, të cilat me ligj janë shpallur si substanca psikotrope dhe analoge.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit duke qenë pjesë e grupit kriminal që merret me trafikimin e narkotikut: kokainë, heroinë, marihuanë nga shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë, aktivitetin e tyre e zhvillojnë duke aranzhuar porosi të narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejnerë të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, kamionëve për transport mallrash e veturave të pajisura me bunkerë, duke e kamufluar narkotikun e duke rregulluar vende ekstra për të fshehur narkotikun.

E më pas, Prokuroria thotë se përmes rrugëve tokësore përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, e sjellin në Kosovë e bëjnë përzierjen e narkotikut me sodë bikarbonat me qëllim të shtimit të peshës, e më pastaj e paketojnë sërish me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosin duke e kamufluar në mjetet transportuese dhe e transportojnë duke e shitur tek blerësit në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian dhe një sasi edhe në Kosovë, e një pjesë të marihuanës edhe në Turqi.

Këtë aktivitetet kriminal, Prokuroria thotë se të dyshuarit e bënë në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës, identiteti i të cilëve ka gjasa të zbulohet gjatë fazës së mëtutjeshme hetimore dhe se ky grup nga ky aktivitet ka siguruar miliona euro përfitime pasurore të kundërligjshme.

Prandaj, për këto veprime, shtatë të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave prikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të kërkesës, thuhet se nga fillimi i vitit 2020 e deri më 23 shtator 2025 në Kosovë dhe shtete të tjera, të pandehurit, me dashje duke e ditur se pasuria e caktuar është e fituar me vepër penale e përshkruar si në pikën e parë të kërkesës për paraburgim, me qëllim që këtë pasuri ta përdorin si të ligjshme, fshehin dhe maskojnë natyrën e vërtetë të pasurisë së krijuar.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të dyshuarit, mjetet e fituara nga veprat penale i transferojnë nëpër biznese të ndryshme, të themeluara si biznese nga vetë të dyshuarit dhe persona tjerë, e duke i konvertuar paratë e fituara në prona të luajtshme dhe paluajtshme-toka, shtëpi, vetura, banesa, etj.

Andaj, me këto veprime, të pandehurit dyshohen edhe për veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK-së e lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.