“Shekspiri i Lindjes” që pasuroi poezinë botërore - Gazeta Express
string(47) "shekspiri-i-lindjes-qe-pasuroi-poezine-boterore"

Arte

Gazeta Express

24/09/2025 16:13

“Shekspiri i Lindjes” që pasuroi poezinë botërore

Arte

Gazeta Express

24/09/2025 16:13

SEJDO HARKA

-I lumtur është ai që hëngri e mbolli farë, i mjerë mbeti ai që vdiq e la thesare-

(Saadiu)

Poeti persian me famë botërore, Saadi Shirazi, ose siç është quajtur ndryshe, “Shekspiri i Lindjes”, edhe pse vjen nga thellësitë e shekujve, me botën e tij krijuese, thellësisht humane, edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i përcjellë gjithë globit flladin e ngrohtë të dashurisë njerëzore. I krahasuar me madhështinë e Shekspirit, me gazelat e tij, ai e pasuroi më tej poezinë perse dhe botërore, jo vetëm me magjinë e fjalës, por edhe me filozofinë e moralin e saj të lartë. Është kjo arsyeja kryesore, që krijimtaria e tij poetike dhe narrative nuk vdes kurrë. Para se të ndalemi te dimensionet e pakufishme të emrit dhe veprës së tij, e cila kapërcen kufijtë hapësinorë dhe kohorë, po ndalemi, me pak fjalë, për t’i rikujtuar lexuesit:

KUSH ËSHTË SAADI SHIRAZI

Shejkh Muslehedin Saadi Shirazi njihet si poeti më i madh dhe më i respektuar i Iranit, pas Firdusit. Ai mendohet të ketë lindur rreth viteve 1203-1208, në qytetin Shiraz të Iranit Jugor, ku mori mësimet e para dhe kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme të tij. I ati i tij ishte një klerik i varfër, i cili vdiq para kohe, duke e lënë jetim që kur ishte i mitur. Edhe pse u rrit me vështirësi, ai mundi të vazhdonte mësimet në medresenë e famshme të vendit, me emrin “Nizamje”. Më pas, ai nisi studime e larta në Bagdad, të cilat, nuk dihet, pse i la pa përfunduar. Mes viteve 1220-1221, Saadiu nisi udhëtimet e tij të famshme, për t’u rikthyer në Shiraz, në vitin 1255. Në këto udhëtime mes për mes vendeve të Lindjes së Mesme, Saadiu, herë shfaqet i qeshur dhe herë i zymtë, herë si mysafir e herë si punëtor krahu. Nga rrëfimet e tij, duket se ka qenë një dervish shtegtar, që rronte me dhuratat që i jepnin banorët e atyre anëve për deklamimin e rrëfenjave dhe poezive të tij më të bukura. Edhe pse Saadiu u edukua me mësimet e besimit katolik, me kohë u bë skeptik ndaj besimit katolik. Në këto kushte, kur varfëria, shtypja, shthurja morale dhe veset e njerëzve po shkatërronin thelbin human të njeriut, ai mori anën e besimit te dija, kultura, filozofia popullore, morali dhe edukata. Prandaj, në krijimtarinë e tij, këto nocione filozofike e shoqërore i trajtoi si armë të shëndosha që do t’i shërbenin krijimit të një njeriu të lirë, pa vese dhe me një moral të pastër, në funksion të një jete më të mirë. Saadiu mendohet të ketë vdekur rreth viteve 1291-1294 dhe është varrosur në vendlindjen e tij, në Shiraz. Veprimtaria letrare ka nisur që në moshën e tij djaloshare, por tek ne ka ardhur vetëm krijimtaria e tij kulmore, e cila ka karakter liriko-filozofik dhe frymëzohet nga gazelat arabe. Krijimtaria e tij, edhe pse është botuar në dy libra të veçanta, në ribotimin e tretë të vitit 2014 ajo na vjen si një përmbledhje me titullin “Gjylistani dhe Bostani”, shqipëruar me origjinalitet nga përkthyesi i mirënjohur, Vexhi Buraraja.

KRYEVEPRA

Brendia e kësaj përmbledhjeje është produkt i udhëtimeve turistike të Saadi Shirazit nëpër botë dhe i përvojës së tij të fituar në vise të ndryshme. Udhëtimet e shumta e shndërruan Sadiun në një poet e mendimtar universal, pasi ai në meditacionet e tij letrare, filozofike dhe shoqërore, nuk mbetet vetëm brenda kufijve të Iranit dhe Lindjes së Mesme. Kjo ka bërë që krijimtaria e tij të përkthehet në shumë gjuhë të botës, që në vitin 1600. Përmbledhja përbëhet prej dy librave, “Gjylistani” dhe “Bostani”, të cilat edhe pse nga problematika dhe stili nuk kanë dallime thelbësore, për lehtësi studimi, po i analizojmë të ndara nga njëra-tjetra.

“GJYLISTANI”

Librin “Gjylistani” ose “Trëndafilishtja”, siç e quan ndryshe Sadiu, e shkroi në vitin 1258. Ai është një harmonizim mes rrëfenjave dhe poezive, të cilat herë përfundojnë me sentenca proverbiale poetike, filozofike e didaktike dhe herë me gazela humoristiko-satirike, këshilluese e moraloedukative. Një vend të rëndësishëm në këtë pjesë zënë marrëdhëniet dhe qëndrimi që Saadiu mbajti ndaj mbretit të kohës. Përmes rrëfenjave tregohet, se vërtet poeti e vlerësonte atë si një sundimtar të zotë të vendit, që i bëri ballë furisë pushtuese mongole, por kurrë nuk u thye përballë elozheve, për ta bërë “duaxhi”(shërbëtor) të bindur të tij. Prandaj, me krenari shkruan vargjet proverbiale: “Më mirë buk’ e kripë, e zot në shtëpi,/ sesa me brez të artë, te mbreti, duaxhi”.

Pyetjes së njerëzve: pse e shkroi librin “Gjylistani”, Saadiu i përgjigjet me këto fjalë: “E shkrova për të joshur ndjenjat lëçitëse të njerëzve dhe për të zgjuar zemrat e qytetarëve të mi”. Ndërsa më poshtë, ai u drejtohet me vargjet: “Ç’të duhet ty trëndafili me vesë!?/ Ti, nga lulishtja ime merr një fletë,/ Se trëndafili, s’rron, veç pesë ditë,/ Lulishtja ime, çelur rri përjetë”.(37) Vend të rëndësishëm në këtë libër zënë rrëfenjat, që përfundojnë me sentenca proverbiale poetike, me vlera edukative, këshilluese dhe stigmatizuese. Në një rrëfenjë poetike, ai fshikullon njerëzit që heshtin, kur duhet të flasin. Prandaj shkruan: “Vërtet heshtja për të urtët është virtyt i rrallë,/ Por kur duhet thënë fjala, ngrije zërin pa përtuar,/ Veç në kohë, e jo kur bota ka pushuar”. Për poetin, njeriu i arsyeshëm nuk duhet të hiqet si kokoroz e pelivan. Prandaj, për të ironizuar këta lloj pelivanësh, të cilët i krahason me macet, shkruan vargjet satirike: “Macja kur zë minj, bëhet si luan,/ Por si miu trembet, kur tigrin ka përballë”.

Për Saadiun është “më mirë të jetosh shkurt dhe me nder e begati, sesa gjatë e si korbi i zi”. I mbështetur në filozofinë e urtësisë popullore, Saadiu na përcjell nga thellësitë e shekujve, sentenca të tilla poetike: “I pasur bëhesh me dituri, e jo me flori,/ I madh bëhesh me mendje, e jo me moshë”. Në një rrëfenjë tjetër ai na përçon këshillën e mençur: “Ki frikë nga njeriu që frikën ta ka”. Ndërsa, për të na bindur për të vërtetën e kësaj këshille shkruan vargjet proverbiale: “Pse gjarpri në këmbë shpejt të kafshon!?/ Se trembet, mos ti shpejt do t’i shtypësh sy e kokë”. Shirazi, me penën e tij të mprehtë, di t’u japë këshilla të mençura edhe mbretërve e pushtetarëve. Ja, si i këshillon ata: “Ki mëshirë për popullin e varfër e të pafuqishëm!”. Këtë rrëfenjë ai e mbyll me vargjet apostrofikë: “O ti mbret, që s’ke dhembshuri për njeriun që heq në zi./ Më mirë vdis, botën mos e lëndo!”(46) Për të fshikulluar servilët, që njerëzit i duan vetëm kur ata janë në pushtet, shkruan vargjet: “Sa është njeriu i madh e kapedan,/ Me dorë në zemër, e mburrin si mbret,/ Kur dita vjen që këmba t’i shkasë,/ Të gjithë i japin shtymën në det”. (50) Sadiu, njerëzve barbarë, që nuk rrojnë dot pa shtypur e vrarë të pafajshmit, u jep këtë mësim: “Ruaju nga ahu i zemrës me plagë, sepse sa djeg ahu i zemrës, nuk djeg zjarri”. (55) Kur mbreti, tregon narratori në një rrëfenjë, urdhëroi të vriste një njeri të pafajshëm, ai i tha atij: “Mos merr veten më qafë, sepse vdekja ime do të jetë sa hap e mbyll sytë, ndërsa ti do të vuash mot e jetë!”(60) Për Saadiun, “Njeriu më mirë të jetë i varfër, por i lirë,/ Sesa i pasur dhe lidhur me zinxhirë”.

Për të fshikulluar lajkatarët dhe njerëzit që shajnë të tjerët prapa krahëve, Saadiu krijon vargjet sinjifikativë: “Ai që s’la gjë pa thënë për të tjerët,/Dije, se nesër, po ky, /Do të shajë, ndër të tjerë, edhe ty”. (62) Për të stigmatizuar dinakërinë e pushtetarëve, narratori shkruan fabulën poetike sarkastike: “Një herë, një zyrtar i madh,/ shpëtoi nga goja e ujkut një manar./ Ndaj nate, i vuri thikën në gurmaz,/ Rënkoi manari i gjorë, e ngriti zënë gjer në Mars:/ Vërtet më shpëtove nga ujku faqezi,/ Por, ujku më i egër, paske qenë ti”. Në sërën e sentencave më të mira të Saadiut, me brendi morale qëndrojnë edhe vargje të tillë që marrin vlerën e fjalëve të tilla të urta: “Më mirë vdekja me nder, sesa vuajtja, mbytur në lerë”. Në kreun e katërt të “Gjylistanit” Saadiu tregon edhe përplasjet e tij me kundërshtarët, të cilat i shpreh në vargjet: “Një trëndafil është Saadiu,/ Por për armiqtë një gjemb që ther”. Për të fshikulluar grindjet dhe mosmarrëveshjet mes njerëzve, ai shkruan vargjet: “S’përleshen kurrë dy zotërinj me tru,/ As dhe i mençmi me një mendjehu”. (92) Ndërsa, për të fshikulluar njerëzit lajkatarë, që të bëjnë qejfin, edhe kur ti ke gabuar, shkruan vargjet: “Zemërohem, kur dhe vesin,/ Ma shikojnë si një yll që ndrin,/ Turpin ma vështrojnë si nder,/ Edhe gjembin, si zambak e jasemin”. Këshilla që u jep babai djemve të tij, për të mësuar një mjeshtëri, shprehet bukur përmes këtyre vargjeve kuptimplotë: “Nxini një mjeshtëri(zanat), nuk është mirë që t’i mbani shpresat te pasuria e trashëguar, sepse ajo, një ditë do të shterojë! Ndërsa, ‘’Mjeshtëria, është një gurrë, që nuk shteron kurrë”./ “Kushdo që në jetë, nuk do të mësojë një zanat,/ Kudo që të shkojë, dorën do të zgjatë.’’(117) Objekt i rrëfenjave me vlera edukive të Saadiut janë bërë edhe çështje të rëndësishme të moralit të njeriut.

Kur e pyesin një të mençur, tregon rrëfimtari, se kush është më i lumtur dhe kush është më i mjerë në këtë botë, ai përgjigjet: “I lumtur është ai, që hëngri dhe mbolli farë, më i mjerë mbeti ai, që vdiq e la thesare. “Të bukura janë dhe sentencat edukativo-morale të tilla: Një fjalë që nuk e thua dot në shesh,/ Mos e thuaj, as prapa nesh!”, “I mençuri nuk bëhet i ashpër, skëterrë,/ Por, as dele, sa nderi për tokë t’i bjerë”. Në sentencat poetike të Saadiuttë gjen edhe aksioma të tilla filozofike: “Po të mos ishte deti i urisë, asnjë zog, nuk do të binte në lag”(140). Njerëzit e ditur, që njohuritë e tyre nuk i vënë shërbim të njeriut, Saadiu i quan grerëza që s’bëjnë mjaltë.

This Could Be the Best Time to Trade Gold in 5 Years
IC Markets
Gold Is Surging in 2025 — Smart Traders Are Already In
IC Markets
BOSTANI

Libri “Bostani”, ose “Pemishtja”, siç e quajti ndryshe Shirazi, u përfundua së shkruari në vitin 1255. Që në hyrje të librit, Sadiu shkruan se “Bostanin” e shkroi për t’ia u sjellë si dhuratë bashkëqytetarëve të tij. Që në hyrje të këtij libri, Sadiu shpreh nderimin dhe mallin për qytetin e tij, Shirazin. Kudo që shëtita nëpër botë, shkruan ai, “zbulova flori”. Por, për të, diamanti më i shtrenjtë është Shirazi. Prandaj, i drejtohet atij me këto fjalë zemre: “Në s’paça në dorë sheqerin për ty,/ Kam fjalët e mia, më të ëmbla se ky”. Saadiu rendi nëpër botë si bleta punëtore për të mbledhur nektarin, të cilin ka ardhur t’ua dhurojë shirazëve si gjënë më të shtrenjtë. Nektari, që ai mblodhi janë, fjalët e urta dhe tregimet popullore, që do t’i përdorte si majanë e krijimtarisë së tij magjike. Që në vargjet e tij të para të këtij libri, ai tregon modestinë e tij krijuese, kur shkruan: “Për brumë diturie, me mburrje nuk flas,/ Si lypës i varfër, ja dorën po zgjas”. (154). Edhe në këtë libër gjejmë poezi, që përmes sentencave filozofike, ai i jep mësime edhe mbretit Atbek.

Ja, si e këshillon atë: ‘’Zemrën gëzoja fakirit të gjorë!/ Nga populli, ti ke kurorë,/ Në zemër, ti mos shpo të varfrin me gjemb!/ Në shpove, ti vetes themelin ia shemb”. Fuqishëm tingëllojnë edhe vargje të tillë apostrofikë: “Ki frikë jetimin mitar e mjerush,/ Ruaju nga ahu i zemrës prush!”.(161) Pas jetimit fshihet vetë poeti. Për të ironizuar dhe stigmatizuar pushtuesit dhe shfrytëzuesit e njerëzimit, Saadiu u vë atyre në gojë vargje të tillë satirikë: “Ne botën zaptuam, me forcë e me zjarr,/ Por, ah, se me vete, s’morëm gjë në varr”. Një i mençur i jep këtë këshillë perandorit: “Hiq dorë nga shtypja mbi njerëzit e mirë,/, sepse edhe mizat, kur bashkohen njëherësh, s’ke parë ti,/ Sa fort i mundojnë edhe luanët më krenarë”! Saadiu në këtë libër, me gazelat e tij u jep këshilla edhe njerëzve të thjeshtë, që të ruhen nga fjalët e lajkatarëve. Të tilla janë këshillat proverbiale: “Ata që të mburrin, për miq mos i zër!/ Ata që të shajnë, në krye i vër!”(183) Në një poezi tjetër, Saadiu, përmes një dyvargëshi, përballë njerëzve të mire vë, njerëzit e këqij. Ja disa vargje me brendi morale: “Kush bëri të ligën, të mirë, kurr’ s’ka pas, /Kush ndezi intrigën n’intrigë do vdesë”.

Vlera të mëdha edukative përçojnë ndër breza këshilla të tilla që babai i jep të birit për sjelljen me njerëzit e varfër. Ja si i drejtohet ai të birit: “O bir, të mjerin mos e shkel me këmbë!/ Se nesër, edhe ty do të thyejnë dhëmballë e dhëmbë”. Kur një kalif i shthurur lufton të shtjerë në dorë një vajzë të pambrojtur, me dhunë, ajo, me guximin e saj, i kundërpërgjigjet me këto fjalë: “Do, vramë, do, edhe kokën ma çaj!/ Por, ty epshin shtazarak dhe kërmën e gojës, nuk ta mbaj!”(201) Në këtë libër gjejmë edhe vargje proverbialë, që zgjojnë kujdesin që duhet të tregojë njeriu ndaj fjalëve të “bukura” mashtruese. Të tillë janë vargjet: “Nga fjala e ëmbël, mos u gënjefsh!/ Se, s’është çudi, brenda, në vend të mjaltit, helm mund të gjesh”. (202) Në poezinë sarkastike me titullin “Dënoje mizorin!”, poeti për të shfryrë mllefin sarkastik mbi katilët shkruan vargjet apostrofikë: “Mizorit, që botën mbyti në ah!/ Si zogut të egër, shkulja pendë e krahë!/ Për shtypjen e mizorit mos ki dëshpërim!/ Se shtypja mbi shtypësin e ka emrin drejtësi”.

Për të fshikulluar mburravecët dhe megalomanët, Saadiu krijon alegori të tilla poetike: “Njeriu vlerësohet nga koka plot tru,/ Jo nga çallma e madhe që mban mbi supe. Përmes gojës së një të moshuari, Saadiu u jep brezave këshilla të tilla morale: “Më e mirë është vdekja, sesa jeta e gjatë pa nder e me faj”(255). Ndërsa, për të zbuluar pabarazinë e madhe të sistemit feudal të kohës poeti shkruan vargjet antinomiko-sarkastike: “Një rri mbi fron, tjetri rob i gjorë./ Dikush lypsar, tjetri mban kurorë./ Dikush zengjin, me thas’ i ka florinjtë,/ kurse tjetri, s’ka të ushqejë as çiliminjtë”. (25) Me kamzhik sarkastik godet Shirazi edhe ryshfetxhinjtë e drejtësisë së kohës, por edhe të të gjitha kohëve, nëpërmjet dyvargëshve të tillë: “Pesë tranguj, po i dhe kadiut ryshfet,/ Dije, ara me pjepra, t’i jep ai në senet”. Kur e pyesin: “Pse ai është i varfër’’, Sadiu u përgjigjet metaforikisht me vargjet: “Edhe skifteri rron më mirë se simurgu, (simbol i pastërtisë morale)/ Skifteri, kërma ha për ditë,/ Simurgu, të ndotura, s’fut në bark”.(258) Një vend të dukshëm në krijimtarinë e Saadiut zë edhe poezia erotike. Por, në këto shënime të shkurtra do të ndalemi vetëm te karakteri platonik i dashurisë së tij. Dashuria e tij përjeton më shumë dhimbjen dhe trishtimin, që i sjell kjo ndjenjë e fortë njerëzore, sesa gëzimin dhe kënaqësinë. Platonizmi erotik ndihet edhe te Naim Frashëri, si ndikim i drejtpërdrejtë nga Saadiu. Në poezinë “Mikeshës”, Saadiu shpreh dhimbjen që ndjen heroi lirik i poezisë, kur mikja nuk i përgjigjet dashurisë së tij. Ja si e shpreh ai këtë dhimbje: “Bota duhet të tronditet,/ Nga kaq lot sa derdha unë,/ Po ç’e do, kur qaj unë,/ Bota bën të madhin gjumë”. Aq shumë e donte miken e tij, sa ai deklaron poetikisht: “Dhe në ferr po të jem me ty,/ Fllad do më duket suferina”. (261)

VEÇORI TË ARTIT

Krijimtaria e Saadi Shirazit është produkt i epokës, që e lindi dhe e rriti. Ishte koha kur “trëndafilat” persianë po zhuriteshin nga era e nxehtë e shkretëtirës arabe. Përveç luftës për përballjen me pushtuesit, persianëve u duhej të mbronin gjuhën dhe kulturën nga erozioni i pushtuesit. Prandaj, Saadiu, për t’i bërë ballë këtij presioni shkombëtarizues, rëndësi i kushtoi mbështetjes fort pas krijimtarisë popullore, gjuhës autoktone dhe letërsisë tradicionale perse të lëvruar nga kolozë të tillë si Firdusi dhe Kajami. Rrëfenjat dhe poezitë e tij kanë karakter të thellë lirik dhe satirik. Shumica e tyre janë gazela, të ngjashme me rrëfenjat e hershme popullore, plot ndjesi e mençuri popullore, me vlera didaktike, edukuese dhe morale. Ajo përshkohet thellë nga humanizmi dhe dashuria njerëzore. Në themel të brendisë së saj qëndron ideja e luftës pa kompromis për gjetjen dhe zhvillimin e së vërtetës.

Në themel të brendisë së veprave të tij qëndron mbrojtja e interesave të vegjëlisë. Një vend të dukshëm në krijimtarinë e Saadiut zënë rrëfenjat dhe gazelat humoristike e satirike, që stigmatizojnë dhe fshikullojnë sundimtarët. Shënjestër e ironisë, satirës dhe sarkazmës fshikulluese të Saadiut janë bërë të pasurit dhe të varfrit, të vegjlit dhe të rriturit, të diturit dhe të paditurit, njerëzit e këqij dhe me vese. Saadiu, edhe pse ishte poet përparimtar, nuk i shpëtoi dot misticizmit fetar. Por, megjithatë, ai nuk i mohon idealet e jetës tokësore. Arti i tij është i lidhur ngushtë me jetën e qytetit dhe të bashkatdhetarëve të tij. Ai i nxit ata të bëjnë katarsin e vetvetes nga veset dhe ligësia. Rrëfenjat dhe poezitë e tij janë sintezë e filozofisë popullore të kohës. Ai shfaqet si armik i padrejtësisë dhe i degradimit moral e shpirtëror të njeriut dhe si një mbrojtës korrekt i drejtësisë. Krijimtaria e Saadi Shirazit ka jo vetëm vlera didaktike, morale dhe edukative, por dhe vlera artistike. Ajo ka një gjuhë të ëmbël, sa të thjeshtë, aq dhe lakonike. Saadiu shfaqet si mjeshtër i rrëfimit poetik, i kadencave të mprehta me kolorit të thellë popullor. Është kjo arsyeja që krijimtaria e Saadi Shirazit pëlqehet kudo në botë. Krijimtarinë e Saadiut e kanë vlerësuar edhe shkrimtarë të mëdhenj, si Gorki, i cili e thërret atë me emrin “Gojëmbli Saadi”. Ndërsa kritika letrare shqiptare e ka quajtur “Gjeni të humanizmit”./Konica.al