ALI AHMETI NGA DIBRA: Mickoski mësimet i nxjerr nga “Platforma e Çubriloviqit” - Gazeta Express
string(75) "ali-ahmeti-nga-dibra-mickoski-mesimet-i-nxjerr-nga-platforma-e-cubriloviqit"

Maqedoni

Gazeta Express

24/09/2025 16:04

ALI AHMETI NGA DIBRA: Mickoski mësimet i nxjerr nga “Platforma e Çubriloviqit”

Maqedoni

Gazeta Express

24/09/2025 16:04

Mickoski mësimet i merr nga Platforma e Çubrilloviqit, me qëllim që t’i komprometojë shqiptarët në skenën ndërkombëtare para diplomatëve, duke i paraqitur si njerëz që duan destabilizim e jo paqe, tha Ahmeti.

Vjollca SADIKU

Dibër, 24 shtator – Populli e ka kuptuar se dikush e ka ndihmuar Hristijan Mickoskin për të poshtëruar shqiptarët. Historikisht, e keqja na ka ardhur nga brenda, nga vetë ne. Mickoski mësimet i merr nga Platforma e Çubrilloviqit, me qëllim që t’i komprometojë shqiptarët në skenën ndërkombëtare para diplomatëve, duke i paraqitur si njerëz që duan destabilizim e jo paqe.

Këtë e theksoi mbrëmë në Dibër lideri i BDI-së dhe i AKI-së, Ali Ahmeti, në promovimin e shtabit zgjedhor të kësaj partie. Ai u shpreh se Mickoski e ka ditur se me Frontin nuk ka lojë, por ka linja të kuqe. “Marrëveshjet e Ohrit, Prespës dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë, si edhe anëtarësimi në BE, duhet të respektohen. Ne nuk duam që shqiptarët të jenë peng i problemeve të pakuptimta që nuk marrin zgjidhje. Anëtarësimi në NATO u pengua me dekada. Tani duhet të presim edhe me dekada për anëtarësimin në BE? Kjo është e pafalshme, dhe këtë Hristijani e ka ditur. Për këtë arsye ai i ka shpallur luftë AKI-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët”, tha Ahmeti, duke shtuar se këto ditë dhjetëra udhëheqës qeveritarë kanë ardhur për t’u takuar dhe për të kërkuar falje për gabimet e bëra.

“Unë u kam thënë: nëse është kështu dhe keni votuar ndryshimet, ejani dhe votoni krenarinë kombëtare, respektivisht AKI-në”, u shpreh Ahmeti.

Në fjalën e tij, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, deklaroi se fitorja e kandidatit për kryetar të Dibrës, Ilirian Fetahu, është e sigurt. Ai shtoi se tabori i partive maqedonase, edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale, e ka shprehur qartë qëllimin e vet: shpërbërjen e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Qëllimi i tyre është të krijojnë subjekte politike sipas kallëpit të VMRO-DPMNE-së, të cilat nuk janë në të mirën e shqiptarëve”, tha Sela, duke theksuar se votimet e 19 tetorit janë një referendum, e jo thjesht zgjedhje lokale.