Njëri i akuzuar dënohet me 2 vite burgim e tjetri me 1 vit për vrasje të rëndë në tentativë të kryer 18 vjet më parë - Gazeta Express
string(116) "njeri-i-akuzuar-denohet-me-2-vite-burgim-e-tjetri-me-1-vit-per-vrasje-te-rende-ne-tentative-te-kryer-18-vjet-me-pare"

Lajme

Gazeta Express

24/09/2025 13:05

Njëri i akuzuar dënohet me 2 vite burgim e tjetri me 1 vit për vrasje të rëndë në tentativë të kryer 18 vjet më parë

Lajme

Gazeta Express

24/09/2025 13:05

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vite burgim Sabri Hamitin dhe me një vit burgim Ilir Hamitin, pasi u shpallën fajtorë për vrasje të rëndë në tentativë të kryer në tetor të vitit 2007.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, me anëtarë gjyqtarët: Agim Kuçi dhe Gent Beka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas shpalljes, Sabri Hamiti u dënua me dy vite burgim, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 20 tetori 2007 e deri më 13 shkurt 2008. Ndërkaq, Ilir Hamiti u dënua me një vit burgim, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 20 tetor 2007 e deri më 13 shkurt 2008.

Dy të akuzuarit u dënuan për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” në bashkëkryerje.

Ndërkaq, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, me të cilën ngarkoheshin dy të akuzuarit, u refuzua akuza me arsyetimin se kjo vepër në kohën e kryerjes është e përfshirë në ligjin për amnistinë e armëve.

Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike, ndërkaq palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi që aktgjykimi të pranohet me shkrim.

Prezent në shpallje të aktgjykimit ishin të akuzuarit Ilir dhe Sabri Hamiti, si dhe mbrojtësi i këtij të fundit, avokati Fitim Limani.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, pasi më 17.10.2012 kishte marrë aktgjykim me të cilin kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Sabri Hamiti dhe Ilir Hamiti, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 26.09.2011.

Me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 26.09.2011, i akuzuari Sabri Hamiti për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje ishte dënuar me 2 vite burgim, ndërsa për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve ishte dënuar me 600 euro gjobë.

Ndërsa i akuzuari Ilir Hamiti, për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje, ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve ishte dënuar me 800 euro gjobë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut, të Republikës së Kosovës të datës 22.10.2008, Sabri Hamiti dhe Ilir Hamiti më datë 20.10.2007, rreth orës 16:38 minuta në fshatin Sveçël, Komuna e Podujevës, në lagjen e “Softollëve”, të akuzuarit Sabit e Iilir Hamiti me dashje që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Bajram Cshobacher kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, në atë mënyrë që pas një konflikti të shkaktuar me datën 13.10.2007 në të njëjtin fshat në mes të vëllezërve Driton e Bujar Hamiti në njërën anë dhe Kasim Sinanit në anën tjetër, me ç’rast i dëmtuari ka ndërmjetësuar në ndarje. Në ditën kritike i dëmtuari duke u kthyer në fshatin e tij Sveçël, automjeti Charon VE nga mbrapa e ka përcjellë ndërsa nga ana e kundërt ka ardhur i akuzuari Ilir me automjetin e markës Mercedes dhe e ka bllokuar rrugën, me ç’rast nga automjeti nga mbrapa ka dalë i akuzuari Sabri dhe me armë zjarri ka thyer xhamin e përparmë të majtë të automjetit, duke shtënë me armë në brendi të automjetit, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit duke e goditur në gjurin e djathtë, ndërsa i pandehuri Ilir ka shtënë me armë zjarri AK 47 dhe kishte goditur automjetin në zonën e pasme të zonës mbi tabelë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo predhë ka përfshirë faqen e pasme dhe të përparme të mbështetëses së pasme dhe ka vazhduar në faqen e pasme të mbështetëses së vozitësit, duke ikur i dëmtuari me automjet në lëvizje e sipër te udhërkryqi i rrugës Dumosh – Sveçël dhe Sekiraqë përmes xhamit të thyer anësor të majtë është qëlluar më armë zjarri me tytë të shkurtër të kalibrit 7.62×25 mm, timoni i automjetit dhe gishti tregues i dorës së majtë i të dëmtuarit, më pas predha vazhdon brenda në veturë nën zonën e kasetofonit në anën e poshtme të maskës së përparme dhe në fund është gjetur para ulëses në anën e djathtë të bashkëvozitësit.

Me këtë, të akuzuarit ngarkohehsin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147, par.1, nënpar. 9 e lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, deri më 20.10.2007, Sabri Hamiti ka poseduar pa autorizim të organit kompetent revolen e markës “TT”, model 33.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328 par.2 të KPRK-së e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilir Hamiti deri me datën 20.10.2007 ka poseduar pa autorizim të organit kompetent pushkën automatike AK 47.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328 par.2 të KPRK-së e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.