Botërori me 64 Kombëtare, më shumë mundësi kualifikimi për Kosovën e për Shqipërinë - Gazeta Express
string(82) "boterori-me-64-kombetare-me-shume-mundesi-kualifikimi-per-kosoven-e-per-shqiperine"

Futboll

Gazeta Express

24/09/2025 13:05

Botërori me 64 Kombëtare, më shumë mundësi kualifikimi për Kosovën e për Shqipërinë

Futboll

Gazeta Express

24/09/2025 13:05

Kosova dhe Shqipëria do të mundë të kenë më shumë gjasa për t’u kualifikuar në Kampionat Botëror në të ardhmen.

Natyrisht, kjo mund të arrihet nëse FIFA e merr vendimin përfundimtar për zgjerimin e evenimentit më të rëndësishëm në futbollin botëror.

Në fakt, liderët e futbollit jug-amerikan kanë kërkuar nga shtëpia e futbollit botëror që ta zgjerojë Kupën e Botës në 64 Kombëtare, shkruan “The New York Times”, përcjell “Gazeta Express”.

Dhe, FIFA thuhet se është duke e shqyrtuar këtë mundësi pasi erdhi nga një kontinent që ka ndikim tek ajo.

Presidenti i institucionit më të lartë të futbollit botëror, Gianni Infantino dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom thuhet se kanë pasur takim në New York me përfaqësuesit e Federatave të Futbollit të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait, ndërsa ata janë udhëhequr në takim nga presidenti i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), Alejandro Dominguez, i cili njëherësh është zëvendës-president i FIFA-s.

Ky zgjerim synohet të bëhet nga viti 2030, ndërsa idenë i pari e ka prezantuar Uruguai para disa muajsh.

Botërori ka pasur ngritje konstante të numrit të pjesëmarrësve në kohët e fundit.

Prej 16 Kombëtare fillimisht ishte rritur në 24, ndërsa në dekadat e fundit atë e përfaqësojnë 32 Kombëtare.

E Botërori që do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë do t’i ketë 48 Kombëtare pjesëmarrëse.

Në rast se aprovohet ideja që Botërori t’i ketë 64 Kombëtare pjesëmarrëse, i bie që më shumë se 30 për qind e 211 shteteve anëtare të FIFA-s të luajnë në këtë garë prestigjioze.

Kjo natyrisht do t’i rriste ndjeshëm gjasat e Kombëtares së Kosovës dhe të asaj të Shqipërisë për pjesëmarrje në Botëror në të ardhmen. /Gazeta Express