Kina ka evakuuar gati dy milionë njerëz nga provinca jugore e Guangdong ndërsa tajfuni Ragasa po afrohet.
Të paktën 15 persona kanë vdekur në Tajvan pas shpërthimit të një liqeni, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në lindje, ndërsa gjeologët e përshkruajnë atë si një “cunami nga malet”.
Ndërkaq, të paktën 10 persona të vdekur u raportuan në Filipine, përfshirë shtatë peshkatarë që u mbytën pasi varka e tyre u përplas nga valë të mëdha dhe erëra të forta dhe u përmbys të hënën pranë qytetit Santa Ana në provincën veriore Cagayan. Pesë peshkatarë të tjerë mbetën të zhdukur, thanë zyrtarët provincialë.
Sot në qytetin Zhuhai priten reshje shiu sa për një muaj, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Hong Kongu dhe pjesë të Kinës jugore ishin në gatishmëri të lartë ndërsa tajfuni Ragasa, cikloni tropikal më i fuqishëm në botë këtë vit, u afrua të mërkurën me erëra dhe shira të fuqishëm, duke i detyruar autoritetet kineze të mbyllin shkollat dhe bizneset në të paktën 10 qytete.
Gati 1.9 milionë njerëz u zhvendosën në të gjithë provincën Guangdong, fuqinë ekonomike jugore të Kinës. Agjencia kombëtare e motit parashikoi se ‘super tajfuni’ do të zbarkonte midis qyteteve Yangjiang dhe Zhanjiang në mbrëmje. Shkollat, fabrikat dhe shërbimet e transportit u pezulluan në rreth një duzinë qytetesh.