Fjalimi i Donald Trump në Kombet e Bashkuara ishte një nga shpjegimet më të qarta të mënyrës se si ai e sheh botën, ideologjia e tij në formën më të pastër.
Ashtu siç shkroi CNN para fjalimit të presidentit amerikan në Asamblenë e Përgjithshme, edhe BBC kujtoi kohën kur Trump doli në foltoren e Kombeve të Bashkuara gjatë mandatit të tij të parë. Ishte pritur me një reagim të pazakontë për të: të qeshura tallëse nga delegatët.
Dikur objekt i skepticizmit dhe përçmimit të hapur nga homologët e tij të huaj, Trump mbërriti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së si një avatar i një rendi botëror në ndryshim.
Për mbështetësit e tij, do të shihet si “Trumpizmi i çliruar” – për kritikët e tij, si “Trumpizmi i çmendur”, shkruan BBC.
Për gati një orë, ai sulmoi kundërshtarët dhe idetë e tyre, duke i hequr nga loja një e nga një teksa bënte një tur botëror. Filloi në shtëpi, duke lavdëruar Shtetet e Bashkuara dhe veten. Tha se SHBA po jetonin një epokë të artë dhe përsëriti pretendimin e tij shumë të kontestuar se personalisht ka përfunduar shtatë luftëra, diçka që sipas tij meritonte Çmimin Nobel për Paqen.
Por më pas presidenti iu kthye me sulme mikpritësve të tij. OKB-ja, tha ai, nuk e kishte ndihmuar në përpjekjet e tij për paqe. Ai vuri në dyshim qëllimin e organizatës, duke thënë se ajo ka potencial të jashtëzakonshëm por nuk po e përmbush. Gjithë çfarë bënte, pretendoi ai, ishte të shkruante letra me gjuhë të ashpër, të cilat nuk i ndiqte më pas. Fjalët bosh, tha ai, nuk i përfundonin luftërat.
Ai gjithashtu sulmoi OKB-në për ndihmën që u jepte azilkërkuesve që shpresonin të hynin në SHBA, duke thënë: “OKB-ja supozohet t’i ndalojë pushtimet, jo t’i krijojë ato dhe jo t’i financojë”.
Trump ruajti ndoshta kritikën e tij më të madhe për aleatët e tij europianë, duke sulmuar kontinentin për investimin në energjinë e rinovueshme dhe hapjen e kufijve për migracion. Tha se ata do “t’i hajë dreqi”.
Ndryshimet klimatike, ai pretendoi mes reagimeve të dëgjueshme, ishin “mashtrimi më i madh ndonjëherë i kryer ndaj botës” dhe po e ngarkonin Europën me kosto të shtrenjta energjie krahasuar me lëndët djegëse fosile. Ai kritikoi në veçanti qeverinë britanike për vendosjen e taksave të reja mbi naftën e Detit të Veriut.
“Nëse nuk largoheni nga mashtrimi i energjisë së gjelbër, vendi juaj do të dështojë”, tha ai.