Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra pas një aksidenti mes dy makinave në Kaçanik.
Drejtuesi i njërit prej automjeteve nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë derisa ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Po ashtu për shkak të aksidentit lëndime kanë pësuar edhe viktima femër kosovare -drejtuese e veturës dhe pasagjerja në veturën e saj.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka dhënë detaje rreth aksidentit.
Ai tha se viktima, një burrë 77 vjeç ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si pasojë e plagëve të marra, ku shtoi se dy personat e tjerë të lënduar janë dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik.
“Ju njoftojmë se më datën 23.09.2025, rreth orës 15:20, në fshatin Begrac të Kaçanikut, ka ndodhur një aksident trafiku. Në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, ku si pasojë kanë pësuar lëndime trupore tre persona. Njëri nga të lënduarit, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK – Prishtinë. Dy personat e tjerë të lënduar janë dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik”, tha ai. Rreth orës 22:00, jemi njoftuar se personi i dërguar në QKUK, rreth moshës 77 vjeçare, fatkeqësisht ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Njësitet e Hetimeve të Aksidenteve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkaqet e aksidentit. Për veprimet policore është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Për informata shtesë lidhur me rrethanat e aksidentit, do të njoftoheni me raportin vijues.”, tha Veseli