Kryeministri Edi Rama nga Viena, ku mori pjesë në konferencën “Shqipëria, horizonti i ri”, tha se procesi i integrimit ka një lloj elasticiteti dhe vendet kandidate mund të kërkojnë shtyrje përtej datës së anëtarësimit për disa çështje që kërkojnë më shumë kohë për t’u përmbushur.
I pyetur për kapitujt më sfidues të negociatave me BE-në, Rama mori si shembull Kroacinë.
“Procesi ka një lloj elasticiteti që do të thotë, vendet mund të negociojnë një shtyrje përtej datës së anëtarësimit. Për shembull Kroacia negocioi nëse nuk gaboj për të pasur 10 vite shtyrje përtej datës së anëtarësimit pikërisht për pjesën e kapitullit të “Mjedisit”, që është mjaft kërkues edhe për vendet që janë në BE dhe që i kanë këto standarde, që të vazhdojnë t’i ruajnë ato, Është një betejë e përhershme. Ne kemi rënë dakord për një shtyrje. Dhe po do të jetë sfidë. Por jeta është sfiduese”, tha Rama.
Rama shpjegoi se edhe Shqipëria ka rënë dakord për një periudhë të tillë tranzicioni për kapituj të caktuar.
Ai theksoi se vendet që kanë hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në janë përballur me një proces kompleks dhe të ngarkuar teknikisht, duke rekrutuar struktura të tëra juristësh, përkthyesish dhe ekspertësh për hartimin e legjislacionit dhe vlerësimin e ndikimit të tij.
Rama solli në vëmendje sërish rastin e Kroacisë, e cila për realizimin e transpozimit të legjislacionit europian në atë kombëtar i janë nevojitur 7 vite pune të pandërprerë, duke përfshirë përkthimin dhe integrimin e mbi katër mijë akteve ligjore dhe nënligjore të acquis communautaire në sistemin e saj juridik.
Në këtë drejtim, ai nënvizoi se Shqipëria po e përmbyll këtë proces në një afat shumë më të shkurtër.
“E kemi nisur një vit më parë dhe do të na duhet edhe më pak se një vit tjetër për ta përfunduar tërësisht, jo vetëm përkthimin dhe përgatitjen paraprake, por edhe elementë të tjerë që përfshijnë analiza të ndikimit nga një ligj si ai “Për mjedisin”, apo diçka tjetër në financat tona apo në fusha të tjera të legjislacionit”, u shpreh Kryeministri.