Në pjesën e fundit të seancës, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan u përgjigj në pyetjet e trupit gjykues.
Ish-këshilltari i komandantit të atëhershëm të NATO-s, Wesley Clark, tha se gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk kishin parë asnjë provë që dëshmonte ekzistencën e Shtabit të Përgjithshëm.
“Pse nuk kemi dëgjuar asnjëherë ne për Shtabin e Përgjithshëm me përjashtim të rasteve të deklaratave propagandistike. Ne kishim propozimin për këtë marrëveshje dhe nënshkrimet e para, dhe atje gjenerali Çeku nuk e ka përdorur këtë titull. Unë jam në dijeni të faktit se ka ekzistuar një organ që quhej Shtabi i Përgjithshëm, që është edhe në aktakuzë, më duket është krijuar më 1994, tani pikëpyetja për mua është kjo, çfarë funksione ka pasur ky organ gjatë luftës dhe pse asnjëherë nuk na është përmendur, dhe as nuk kemi parë ndonjë provë që të ketë ekzistuar ky organ”, tha ai.
Britaniku mohoi të ketë parë ndonjëherë urdhra apo vendime të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Jo, me sa kam dijeni. Por ajo që kemi parë ne ka qenë roli i komandantëve të zonave apo rajonal, dhe roli i gjeneralit Çeku si dhe struktura ushtarake që ai na ka përshkruar dhe na ka thënë që jam komandant i kësaj strukture. Ka qenë titull tjetër pra”, u përgjigj Duncan kur u pyet nga gjykatësi Metro nëse ka parë ndonjë dokument – vendim apo urdhër – të Shtabit të Përgjithshëm.
Ish-diplomati britanik, i cili gjatë dëshmisë së tij theksoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki, tha se nga ajo që kishin informacion, pushtetin e kishin komandantët e zonave.
“Sipas informacionit që kishim ne, kishim kuptuar që pushtetin e kishin komandantët e zonave dhe gjenerali Çeku, nëse do të ishim informacion tjetër, do të ishim sjellur ndryshe, nëse ky organ që e quan vetën Shtab i Përgjithshëm,, nëse kish qenë një organ i fuqishëm që të kishte kompetenca dhe të ishte në gjendje të komunikonte me ne, atëherë ne do të ju ishim drejtuar pikërisht Shtabit të Përgjithshëm, por nuk e bëmë. Ne nuk e kemi parë këtë shtab, nuk kemi pasur asnjë provë të ekzistencës së tij… Ne na kishin thënë se personat me të cilët duhet të komunikonim ne dhe të bashkëpunonim ne ishte ndër të tjerët edhe gjeneral Çeku i cili na tha që personat që duhet të kemi në palën tonë, janë komandantët e zonave. Kjo ishte arkitektura, efikase jo efikase, nuk ka rëndësi tani por kompetencën e pushtetit e kishin këta persona, prandaj ne shkuam të takonim këta persona”, shtoi ai.
Më pas seanca kaloi për disa minuta në sesion privat. Paraprakisht, dëshmitari u përgjigj në pyetjet e gjykatësit Barthe të cilit i tha se nga diskutimet që kishin me Agim Çekun, u ishte thënë se prania e komandantëve të zonave në diskutimet për çarmatim, ishte thelbësore.
Në fund të seancës pyetje shtroi edhe gjykatësi Gejnor. Dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e tij, tha se Agim Çeku ishte gjenerali që kishte komandë dhe kontroll në UÇK.
“Gjeneral Çeku është personi që kishte komandë dhe kontroll, dhe sikurse kemi diskutuar edhe më herët e kuptoj që ekziston një përkufizim ligjor në sistemin e drejtësisë ose gjykatave ndërkombëtare sa i takon komandës dhe kontrollit, ky përkufizim nuk është në të njëjtën linjë me atë si e kupton këtë term NATO-ja. NATO-ja e kuptonte se ti ke komandë, jep urdhra, ndërkohë personi që kryen këto aspekte, duhet të ketë komandë dhe kontroll…Dikush mund të kishte kontroll por jo komandë, dhe persona që kishin kontroll dhe komandë. Sa i takon aspektit kontrollit dhe komandës së UÇK-së, këtë kontroll dhe komandë e kishte Agim Çeku, Thaçi kishte komandë por jo domosdoshmërisht kontroll. Ai mund të lëshonte udhëzime, por a siguronte dot zbatimin e tyre…”, tha ai./KosovaPress