Edhe pse zgjedhjet janë mbajtur në shkurt dhe tashmë është muaj shtator, Kuvendi s’është konstituar tërësisht. Deputetët e rinj të parlamentit punën e tyre e filluan në prill, por me pak rezultate.
Ani pse ende s’e kanë përfunduar detyrën e parë tyre të konstiuimit të kuvendit, deputetët janë duke u paguar që nga muaji i lartcekur.
Ata si ushtrues të kësaj detyre, që vlerësohet të jetë ndër më të rëndësishmet në vend, tashmë kanë marrë pesë paga të deputetit.
Përveç rezultatit minimal në përmbushjen e detyrës së tyre, deputetët, një periudhë bukur të gjatë e kanë kaluar pa qenë fare të detyruar të jenë prezentë në parlament, kjo për shkak të disa javëve gjatë të cilave kuvendi dhe deputetët kanë qenë nën masa të Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht kësaj, siç raporton KALLXO.com, deputetët i kanë kushtuar buxhetit saktësisht 942 mijë e 424 euro e 80 centë. Ku, 95,633.93 euro paga janë paguar në prill, 234,998.98 euro në maj, në qershor 199,907.67 euro, në korrik 205,831.92 euro dhe 206,052.30 euro në gusht.
Në raportim bëhet theksohet edhe se, në këtë shumë nuk janë llogaritur pagat që marrin 17 deputetët që janë pjesë e Qeverisë, për shkak se ata janë paguar si anëtarë të kabinetit qeveritar, e ku pjesë e këtij grupi deputetësh janë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrat si Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Artane Rizvanolli, Donika Gërvalla, Ejup Maqedonci, Elbert Krasniqi, Emilija Rexhepi, Faton Peci, Fikrim Damka, Hajrulla Çeko, Hekuran Murati, Liza Gashi, Nenad Rashiq, Rozeta Hajdari dhe Xhelal Sveçla.
Po ashtu, në raportim shtohet se deputetët Haxhi Avdyli dhe Adriana Matoshi s’kanë marr pagën kalimtare për muajin prill pasi që kishin gjeneruar të hyra të tjera, dhe se, atyre gjithashtu iu bë ndalesë paga kalimtare e muajit mars. Kurse, Glauk Konjufcës dhe nënkryetarëve të Kuvendit të legjislaturës së kaluar, deri më 15 prill iu krye pagesa edhe për funksionet që i kishin pasur, kurse pas 15 prillit janë paguar vetëm si deputetë të legjislaturës së nëntë. Po ashtu Enver Hoxhajt dhe Kujtim Shalës që ishin nënkryetarë kësaj legjislature, iu është ndaluar pagesa në vlerë prej 189.94 euro, pasi gjatë periudhës 15 prill deri më 19 prill, nuk kanë ofruar dëshmi me shkrim se nuk gjenerojnë të hyra tjera financiare.
Ndryshe, kuvendi nuk konstituar plotësisht për shkak se deputetët ende s’kanë arritur ta zgjedhin edhe nënkryetarin e pestë nga radhët e komunitetit jo shumicë serb.
Ndërsa pjesë e tjetër e kryesisë është zgjedhur, me kryetar Dimal Bashën.
Edhe zgjedhja e këtij të fundit, ani pse mori votat e mjaftueshme, si propozimet e tjera është kundërshtuar mjaftë shumë mes shumë deputetëve.
Sa i përket vazhdimit të seancës së kuvendit, diçka e tillë duhet të pres të paktën deri me 30 shtator, atëherë edhe kur përfundon masa e Kushtetueses, dhe pritet aktgjykimi i kësaj të fundit mbi ankesën e Listës Srpska, e cila është ankuar për mënyrën e votimit të nënkryetarëve që vijnë nga komunitetet jo shumicë. Proces ky, që është proceduar ndaras, pavarësisht se njohësit kanë deklaruar se votimi duhet të bëhet në pako.
Edhe pjesa tashmë e zgjedhur e kryesisë së kuvendit, u bë e mundur pas muajsh bllokade e pothuajse 60 seancave. Për shkak të këtij ngërçi, nuk ka qenë e mundur as zgjedhja e qeverisë së re.