Hapet rruga për shkarkimin, kush janë socialistët që votuan kundër Veliajt - Gazeta Express
string(73) "hapet-rruga-per-shkarkimin-kush-jane-socialistet-qe-votuan-kunder-veliajt"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 16:32

Hapet rruga për shkarkimin, kush janë socialistët që votuan kundër Veliajt

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 16:32

Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës hapi sot rrugën për kapitullin e fundit politik të Erion Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Me shumicë votash, ky komision miratoi futjen në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak kërkesën e grupit socialist për shkarkimin e tij, duke i hapur rrugë një seance vendimtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme në orën 16:00.

Debati u përqendrua fillimisht në procedurën për futjen në rend dite të projektvendimit për shkarkimin e Veliajt. Votat pro erdhën nga një përzierje emrash me të kaluar politike të larmishme:

Xhilda Kito e Partisë Socialiste, Halit Valteri, demokrat i konvertuar në socialist, Endrit Brahimllari, ish-pjesë e Partisë së Lirisë dhe sot anëtar i PS-së dhe Sonila Qato, ish-drejtoreshë e Autoritetit Rrugor Shqiptar nga Partia Socialiste. Pro votoi edhe Agim Kraja nga Partia Lëvizja e Legalitetit.

I vetmi kundër ishte këshilltari i Bindjes Demokratike, Fabian Topollari, që zgjodhi të mos mbështesë nismën.

Aleancë e pazakontë PS–PD

Interesant mbetet fakti se, ndonëse kërkesa është formalisht e socialistëve, demokratët e konsiderojnë këtë hap si rezultat të presionit të tyre. Këshilltarët e PD-së kujtojnë se prej tre muajsh, që nga arrestimi i Veliajt, ata kanë kërkuar shkarkimin e tij. Megjithatë, anëtari i PS-së Endrit Brahimllari argumentoi se “tashmë janë pjekur kushtet politike” për të çuar Bashkinë e Tiranës drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Pas mbledhjes, përfaqësuesi demokrat Dorian Teliti konfirmoi se grupi i PD-së do të votojë pro shkarkimit në seancën e pasdites, duke theksuar megjithatë një pikë kyçe:

“Ne kërkuam që kryetari të dëgjohet në sallë. Edhe një i dënuar përjetë ka këtë të drejtë. Fakti që Partia Socialiste këmbëngul të mos e lejojë, i jep Veliajt një instrument ligjor për të fituar gjyqin,” tha Teliti, duke parashikuar se Erion Veliaj do të vijojë luftën e tij politike me mjetet e pakta që i kanë ngelur nga qelia.

Në të kundërt, Endri Shabani vlerësoi se nuk ka asnjë arsye për praninë e kryebashkiakut, duke e konsideruar kërkesën e opozitës të panevojshme.

Përplasja për të drejtën për t’u dëgjuar

Erion Veliaj, i cili ndodhet nën masë sigurie ‘arrest me burg’, i kishte dërguar të premten një letër zyrtare Këshillit Bashkiak duke kërkuar pjesëmarrje në mbledhje për të paraqitur mbrojtjen e tij. Sekretari i Këshillit, Behar Zeneli, u përgjigj se kryebashkiaku mund t’i dërgonte me shkrim pretendimet, nëse nuk mund të paraqitej fizikisht.

Por Veliaj replikoi me një letër të dytë, duke theksuar se Sekretari nuk ka kompetencë të vendosë për një çështje kolegjiale dhe se një vendim i tillë duhet marrë vetëm nga Këshilli. Sipas tij, deri dje nuk kishte marrë njoftim zyrtar për zhvillimin e seancës, arsyet e shkarkimit apo dokumentet që e akuzojnë, duke e cilësuar procesin si të parregullt dhe në shkelje të të drejtës së tij për t’u dëgjuar.

Çfarë pritet sot

Tani topi ndodhet në fushën e Këshillit Bashkiak, që në orën 16:00 do të vendosë jo vetëm për shkarkimin e Erion Veliajt, por edhe për kërkesën e tij për të marrë fjalën. Vendimi për të lejuar apo jo praninë e kryebashkiakut mund të bëhet gur prove ligjore, nëse ai zgjedh të sfidojë procedurën në gjykatë.

Në këtë skenë ku mazhoranca dhe opozita po konvergojnë në një votë të përbashkët, përplasja nuk është më mes partive, por mbi respektimin e të drejtave procedurale, një element që mund të përcaktojë jo vetëm fatin politik të Veliajt, por edhe pasojat ligjore të gjithë procesit. /Lapsi.al