Gjykata e Apelit në Gostivar konfirmoi dënimin me dy vjet burg për shoferin që goditi për vdekje Teodorën, familja: Vendim i turpshëm - Gazeta Express
string(131) "gjykata-e-apelit-ne-gostivar-konfirmoi-denimin-me-dy-vjet-burg-per-shoferin-qe-goditi-per-vdekje-teodoren-familja-vendim-i-turpshem"

Maqedoni

Gazeta Express

23/09/2025 15:57

Gjykata e Apelit në Gostivar konfirmoi dënimin me dy vjet burg për shoferin që goditi për vdekje Teodorën, familja: Vendim i turpshëm

Maqedoni

Gazeta Express

23/09/2025 15:57

Familja e të ndjerës Teodora Ristovska është e pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar, e cila konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë, e cila e dënoi Mensur Pajazitin me dy vjet burg për vdekjen e vajzës,transmeton Portalb.mk.

Në një letër drejtuar publikut, familja Ristovski e vlerëson vendimin si një “turp për drejtësinë” dhe “tallje” me jetën e vajzës së tyre 22-vjeçare. Ata theksojnë se në vend të drejtësisë së vërtetë, ata morën “minimizim të tragjedisë”.

“I pandehuri në ankesë i referohet interesit të publikut dhe partisë në pushtet si një faktor në dënimin ‘e tepërt’, por ky interes është shumë i natyrshëm – sepse kur shuhet një jetë e re, të gjithë tronditen. Nëse gjyqësori nuk do të ishte i kalbur dhe i korruptuar, askush nuk do ta vriste mendjen për këtë interes. Në vend të drejtësisë që do të sjellë paqe, marrim një sistem që, me dënimin e tij të butë dhe selektiv, krijon mosbesim dhe urrejtje edhe më të madhe”, thuhet në letër.

Edhe pse rruga e mëtejshme ligjore drejt Gjykatës së Lartë varet nga Prokuroria Publike, familja Ristovska thekson se nuk do të heshtin dhe do të vazhdojnë të kërkojnë publikisht llogaridhënie. Ata theksojnë se kjo padrejtësi nuk duhet të mbetet pa pasoja.

Në letrën e tyre drejtuar publikut, ata thonë se nuk po kërkojnë privilegje, por humanizëm dhe trajtim të drejtë.

“Kur dënimi është në disproporcion me humbjen, jo vetëm autori i veprës penale bëhet fajtor, por edhe vetë sistemi. E shohim personin e dënuar të lëvizë lirshëm, madje të hipë përsëri pas timonit, pa një ndjenjë të dukshme faji. Për ne, kjo është një fyerje brutale ndaj kujtimit të Teodorës dhe ndaj kujtdo që e di se çfarë do të thotë të humbasësh një fëmijë, një motër apo personin më të afërt”, shtojnë ata.

Sipas tyre, turpi i këtij vendimi i përket sistemit të drejtësisë.

“Kur një vrasës del i lirë, i gjithë kombi është viktimë. Drejtësia duhet të jetë e dukshme, e prekshme dhe reale. Jeta e Teodorës nuk është një numër në një dosje – është plaga jonë e përjetshme. Dhe ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, për të treguar se viktimat nuk lihen vetëm”, shtohej në letër.

Aksidenti rrugor ndodhi më 15 gusht 2022 në Tetovë, kur Mensur Pajaziti, duke drejtuar një BMW me shpejtësi prej 59 kilometrash në orë, nuk i dha përparësi Teodora Ristovskës, e cila po kalonte në një vendkalim për këmbësorë.

Pas aksidentit, në gjyqin e parë në nëntor 2023, Pajaziti u deklarua fajtor dhe u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Pas ankesës, Gjykata e Apelit e uli dënimin në dy vjet burg. Gjykata Supreme më pas i rrëzoi të dy vendimet dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Në rigjykimin më 7 prill 2025, Pajaziti u dënua me dy vjet burg.

Prokuroria Themelore Publike e Tetovës tha në përgjigje të këtij vendimi se do të kërkonte dënim më të lartë për Pajazitin. Sipas prokurorit, siç thuhet në deklaratë, dënimi i shqiptuar është shumë i butë në raport me peshën e krimit të kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të pandehurit.

Sipas familjes, Gjykata e Apelit në Gostivar tani e ka konfirmuar këtë dënim.

Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.