Fikrim Damka dhe Besim Kamberaj deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion - Gazeta Express
string(87) "fikrim-damka-dhe-besim-kamberaj-deklarohen-te-pafajshem-lidhur-me-akuzen-per-korrupsion"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 13:58

Fikrim Damka dhe Besim Kamberaj deklarohen të pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 13:58

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ministri në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ish-ushtruesi i detyrës së sekretarit në këtë ministri, Besim Kamberaj, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi paraprakisht aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prezent në seancë ishin prokurori special Fatos Ajvazi, i akuzuari Damka me avokatin Artan Qerkini dhe i akuuari Kamberaj me avokatin Burim Azemi.

Pas deklarimit rreth fajësisë, Gjykata njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre me të drejtën që brenda 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 korrik 2025 ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit në këtë ministri, Besim Kamberaj, të cilët ngarkohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e plotë, në të cilën në pikën e parë thuhet se Fikrim Damka dhe Besim Kamberaj nga data 16 gusht 2021 e deri më 24 mars 2022 në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë- Damka në pozitën e ministrit të Zhvillimit Rajonal, kurse i pandehuri Kamberaj në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të kësaj Ministrie, kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ-të: “Germin” dhe “Caritasi Zviceran” dhe shkeljes së të drejtave të personave tjerë, respektivisht Organizatave të Shoqërisë Civile të regjistruara në Kosovë.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit qershor dhe korrik të vitit 2021 në Prishtinë, Damka dhe Kamberaj duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Rregullores për përgjegjësitë administrative në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrive dhe Rregullores së Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, tejkalojnë kompetencat e tyre ligjore duke lidhur kështu marrëveshje me “Caritasin Zviceran” në kundërshtim me përgjegjësit dhe kompetencat të kësaj ministrie, respektivisht duke marrë përgjegjësitë që bien në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

Aty thuhet se fillimisht takohen me përfaqësuesin e autorizuar të OJQ-së “Caritasi Zviceran” Gerard Schaumberger dhe negociojnë mundësinë e lidhjes së një bashkëpunimi me të.

Pastaj, aktakuza thotë se i akuzuari Kamberaj në komunikim përmes e-maili me Kreshnik Bashën- përfaqësues i “Caritasit Zviceran”, në dijeni të të pandehurit Fikrim Damka, hartojnë dy koncept-dokumentet për dy projekte “Ndikimi mjedisor i të rinjve -YENI” dhe “Veprimi Komunal për Ri integrim dhe diasporë -MARDI”.

Në këtë koncept- dokument, sipas aktakuzës, thuhet se projektit MARDI pa pasur thirrje e përfshinë OJQ “Germin” në kundërshtim me Rregulloren e MF-së, duke i dhënë një rol kyç në realizimin e këtij projekti dhe duke e trajtuar si partnere të OJQ “Caritasi Zviceran”, pa pasur ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me të.

Më pas, thuhet se Damka dhe Kamberi, pasi hartojnë dy koncept-dokumentet për projektet e lartpërmendura dhe draftin e Memorandumit të Bashkëpunimit, më 16 gusht 2021, nënshkruajnë Memorandumin në fjalë në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombetare dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, duke krijuar implikime të drejtpërdrejta buxhetore, kosto shtesë buxhetore jashtë çdo linje të miratuar buxhetore në momentin e lidhjes se Memorandumit.