Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025.
AIP kërkon nga partitë që të zbatojnë detyrimet ligjore dhe të ndërmarrin veprimet si sigurimi që çdo përpunim i të dhënave personale të bëhet me pëlqimin e qytetarëve, në interes legjitim të subjektit apo për arsye të caktuara me ligj, të mos përdoren të dhënat kontaktuese gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo për qëllime të marketingut politik.
Po ashtu, nga partitë kërkohet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit përmes email-it, semazheve (sms) apo thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak.
“Të respektohen të drejtat e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit” – kërkon mes tjerash AIP, në njoftim.
Nga partitë kërkohet të shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme. Kjo përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore se janë ndërmarrë masa mbrojtëve përkatëse.
Partive u kërkohet të sigurojnë transparencë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika të qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.
“Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në harmoni me detyrimet ligjore, Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje Partive Politike që gjatë realizmit të aktiviteteve të fushatës zgjedhore, informatat e qytetarëve ruhen në përputhje me kërkesat ligjore” – përfundon AIP.