Që me fillimin e luftës në Gazë në tetor 2023 shtetet e BE-së po përpiqen të gjejnë një linjë të përbashkët në qendrimin ndaj Lindjes së Mesme. Deri më sot pozicionet sa i përket një shteti palestinez janë të ndryshme.
Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në kuadrin e konferencës për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit në Lindjen e Mesme, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi njohjen e shtetit të Palestinës:
“Disa mund të thonë, që është shumë vonë. Të tjerë mund të thonë, që është shumë herët”, tha Macron. “Por një gjë është e sigurtë: Ne nuk mund të presim më gjatë.” Masakra e organizatës terroriste Hamas më 7 tetor 2023 është vërtetë një “plagë e hapur”, vazhdoi Macron. Megjithatë qindra mijëra njerëz janë dëbuar, plagosur, uritur dhe traumatizuar, theksoi ai. Jeta e tyre po vazhdon të shkatërrohet, edhe pse Hamasi është dobësuar ndjeshëm. “Asgjë nuk e justifikon vazhdimin e luftës në Gazë. Asgjë”, tha presidenti francez.
Edhe Britania e Madhe dhe Kanadaja deklaruan njohjen e Palestinës
Më parë edhe Kanadaja dhe Britania e madhe deklaruan njohjen zyrtare të një shteti palestinez – këto ishin dy shtetet e para nga grupi G7 i vendeve të fuqishme ekonomike perendimore, që njohën shtetin palestinez.
Nga pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tashmë katër – krahas Francës, edhe Rusia, Kina dhe Britania e Madhe njohin Palestinën, ndërsa SHBA-ja jo. Ashtu si Izraeli edhe SHBA e bojkoton konferencën për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit.
Kjo konferencë zhvillohet me nismën e Francës dhe të Arabisë Saudite me qëllim t’u japë një impuls të ri përpjekjeve për zgjidhjen me dy shtete dhe fundin e luftës duke i dhënë kësisoj edhe tonin Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Si pozicionohen vendet e BE-së?
Franca: Që me fillimin e luftës në Gazë në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron disa herë e ka shprehur në publik mendimin për njohjen e shtetit të Palestinës, por herë pas here edhe është tërhequr.
Macron është pozicionuar qartazi si mbështetës i zgjidhjes me dy shtete. Në një shtet të mëvetsishëm palestinez nuk duhet në asnjë mënyrë të jetë pjesë e qeverisë Hamasi radikal-islamik, që është klasifikuar si organizatë terroriste nga Gjermania, SHBA-ja, Bashkimi Europian dhe disa shtete arabe. Parisi kërkon armëpushim në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve, akses të lirë për ndihmat humanitare dhe një stabilizim të rajonit. Gjithashtu Parisi pret nga Izraeli që të ndalë shtrirjen e vendbanimeve në Jordanin Perendimor si dhe të gjitha planet për aneksim.
Britania e Madhe: Kryeministri Keir Starmer është shprehur ngjashëm si Macron. Edhe Britania e Madhe i përmbahet zgjidhjes me dy shtete. Britania e Madhe historikisht ka një përgjegjësi të veçantë për rajonin e Lindjes së Mesme: Ish-fuqia koloniale e ka administruar Palestinën per mandat nga Lidhja e Kombeve. Më 1917 britanikët shpallën deklaratën e ashtuquajtur Deklara-Balfour duke marrë përsipër, që të krijojnë “në Palestinë një atdhe për popullin hebre”. Afati i këtij mandati përfundoi më 1948 me themelimin e shtetit të Izraelit dhe me luftën e parë arabo-izraelite. Kjo periudhë deri më sot karakterizon raportet historike dhe politike ndaj Izraelit dhe palestinezëve.
Britania e Madhe prej dekadash është e angazhuar me ndihmë zhvillimi në territoret palestineze, si në sektorin e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik.
Spanja: Madridi mbështet qartazi palën palestineze, që në maj 2024 Madridi e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Spanja e konsideron zgjdihjen me dy shtete si të vetmen mundësi realiste për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Spanja ndërkohë po zgjeron ndihmën për territoret palestineze si në aspektin financiar ashtu edhe në atë institucional.
Çështja palestineze në Spanjë është konsideruar shumë herët si pjesë e luftës globale kundër kolonializmit dhe shtypjes. Në fund të viteve 1970, kur Spanja vet e troshitur prej diktaturës së Frankos sapo kishte filluar me konsolidimin e vlerave demokratike, nisën të forcohen partitë dhe lëvizjet e majta, që solidarizoheshin me luftrat çlirimtare antikoloniale në mbarë botën – e po ashtu edhe me palestinezët nën pushtimin izraelit.
Qeveria spanjolle thekson, se njohja e Palestinës nuk është kundër Izraelit. Edhe Izraeli njihet si shtet nga Madridi, megjithatë qeveria në Madrid kritikon vazhdimisht shkeljet e së drejtës ndërkombëtare të pandehura si gjenocid të Izraelit si dhe shtrirjen e territoreve në Jordanin Perëndimor.
Europa e përçarë në qëndrime
Krahas tre vendeve edhe shtete të tjera europiane e kanë njohur shtetin e Palestinës: Irlanda, Polonia, Norvegjia. Në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme (22.09.2025) deklarojnë njohjen edhe Portugalia, Belgjika dhe Finlanda.
Shtete të tjera, në radhë të parë Gjermania, janë të rezervuara ndaj njohjes së shtetit të Palestinës. Pozicioni gjerman është, që njohja nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme në këtë moment pa arritur në një zgjidhje përmes bisedimeve.
Gjermania: Kushte ende jo realiste për zgjidhjen me dy shtete
Qeveria gjermane në Berlin, sikurse deklarohet zyrtarisht, “së shpejti” nuk do të ndërmarrë nonjë hap për njohje. “Ne nuk do t’i bashkohemi kësaj nisme”, tha kancelari kristiandemokrat Friedrich Merz në gusht në kuadrin e takimit me kryeministrin e Kanadasë Mark Carney. Argumenti i Merz: “Ne konsiderojmë se aktualisht kurrësesi nuk janë përmbushur kushtet për njohjen e shtetit.” Një njohje duhet të jetë hapi i fundit i një procesi paqeje, prej nga të dilet me një zgjidhje për dy shtete.
Republika Çeke
Republika Çeke është një ndër mbështetëset më të hapura të Izraelit në BE. Ky vend mban marrëdhënie të ngushta diplomatike, ekonomike dhe në aspektin e politikës së sigurisë me Izraelin. Praga është shumë e rezervuar në kritika gjatë debatit ndërkombëtar. Republika Çeke – që me themelimin e Izraelit – ka mbajtur raporte të ngushta dhe në vitet 1940 dhe 1950 Praga ka furnizuar me armë shtetin e ri të Izraelit. Për mbështetjen e Izraelit janë në konsensus të gjitha partitë në Çeki. Edhe popullsia është tradicionalisht pozitive në qendrimin ndaj Izraelit. Deri tani Praga e refuzon njohjen e shtetit të Palestinës.
Hungaria
Edhe Hungaria në shumë drejtime është qartazi pro Izraelit. Në mënyrë të përsëritur kryeministri hungarez Viktor Orban thekson të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto vazhdimisht ka deklaruar, se Hungaria e dënon sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, gjatë të cilit u vranë 1200 vetë dhe rreth 250 të tjerë u morën peng, dhe njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Hungaria rregullisht i bllokon masat e përbashkëta të BE-së, që kritikojnë Izraelin. Budapesti disa herë i ka refuzuar deklaratat e BE-së që mbështesin armëpushimin në Gazë dhe kërkojnë masa sanksionuese ndaj Izraelit. /DW