Rasti i Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, Prokuroria dorëzon dosjen paraprake - Gazeta Express
string(100) "rasti-i-thacit-dhe-te-tjereve-kunder-administrimit-te-drejtesise-prokuroria-dorezon-dosjen-paraprake"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 10:07

Rasti i Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë, Prokuroria dorëzon dosjen paraprake

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 10:07

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.

Sipas dokumentit të dorëzuar më 19 shtator, Prokuroria ka dorëzuar një përmbledhje që përmban përmbledhje të provave që ata synojnë që të paraqesin për të vërtetuar akuzat në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Veç kësaj, aty thuhet se Prokuroria ka dorëzuar edhe listën e dëshmitarëve që ata synojnë t’i thërrasin ose që do të mbështeten gjatë gjykimit.

Po ashtu, aty thuhet se dosja paraprake përmban edhe listën e materialeve të propozuara që Prokuroria synon t’i paraqes në gjykim.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.