John Duncan, ish-këshilltari i komandantit të NATO-s, Wesley Clark, do të vazhdojë dëshminë në Gjykatën Speciale të Hagës.
Duncan ka mbetur të merret në pyetje nga Prokuroria dhe gjyqtarët, e më pas edhe avokatët nëse kanë pyetje shtesë.
John Duncan, diplomat karriere me mbi 35 vjet përvojë, është dëshmitari i radhës i mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Në mesin e temave më të rëndësishme për të cilat ai foli, ishte organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Duncan, UÇK-ja nuk kishte strukturë, dhe kjo ua kishte vështirësuar punën në marrëveshjen për çmilitarizim.
“Si rregull, NATO-ja do të ftonte komandantët e lartë dhe do bëhej një marrëveshje në mes gjeneralit Clark dhe cilitdo që do ishte nga pala tjetër. Nuk do shkonim kurrë në nivel rajonal. Kjo shërben për të kuptuar strukturën hierarkike. Pra, si funksiononte atje”, tha ai.
“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, deklaroi ai në Gjykatën Speciale të Hagës.
Duncan theksoi se në Kosovë, nuk mund të shkonin të bisedonin me Thaçin apo Agim Çekun, dhe ta merrnin çështjen si të kryer. Ai shtoi se bisedimet duhej të bëheshin me komandantëve e zonave.
“Nuk mund të shkonim thjesht të bisedonim me Thaçin apo me Çekun dhe të mendonim se e zgjidhem problemin. S’funksiononin gjërat kështu. Duhej të flisnim me persona që kishin kompetenca dhe ata që kishin kompetenca ishin komandantët e zonave”, tha dëshmitari Duncan më tutje.
Ai e përsëriti se fuqinë reale e kishin komandantët e zonave.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët nga rajonet dhe kjo na u konfirmua kur e takuam gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”, tha ai.
Duncan tregoi edhe bisedën me Agim Çekun, dhe çfarë kishte deklaruar ai.
“Ai Çeku, shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, deklaroi Duncan.
Me këtë qëllim, mbrojtja e Thaçit ia publikoi dy video nga bisedimet për çmilitarizim.
Aty shiheshin komandantët si Ramush Haradinaj e Rrustem Mustafa, por edhe të tjerë, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti.
“Vinte era luftë, u vinte era barut”, tha diplomati britanik.
Duncan foli edhe për rolin e Thaçit.
“Nuk ishte realiste që të njihej zotin Thaçi si udhëheqës politik i Kosovës. Kishin forca politike që ekzistonin atje si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerët. Ata mund të kishin zgjedhur atë si udhëheqës të delegacionit të Rambujesë, por ai nuk ishte atë që quhej legjitimitet politik në një shoqëri demokratike. Nuk ishte zgjedhur nga populli. Ai e kishte deklaruar një Qeveri të Përkohshme por ne ishim arritur në pikë që ne dhe NATO ta njihte si kryeministër të Kosovës. Nuk ishte një gjë realiste dhe nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha ai.
Sipas tij, Thaçi nuk kishte legjitimitet të plotë demokratik në atë kohë dhe shumë vendime kërkonin pëlqimin e komandantëve të zonave; ai vetë “nuk e ka parë” Thaçin të jepte urdhra a direktiva.
“Asnjëherë nuk kam parë që të jepte direktiva, apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloje njerëzish, e para me ushtarakun oficerin, dhe e dyta politikanin. Kjo ishte përshtypja që më ishte krijuar mua”, tha Duncan. Ai tha gjithashtu se UÇK-ja donte ta tregonte veten sikur nuk ishin vetëm ushtri guerile në mal.
Duncan e cilësoi propagandë serbe pretendimin se UÇK-ja kishte strukturë të rreptë dhe hierarki si ushtri e rregullt.
“Propaganda serbe, siç e kam kuptuar unë dhe prej informatave që kam marrë. Ata filluan që t’i quajnë terroristë dhe më pas t’i shohin si një kanosje reale, si një ushtri e rregullt e të disiplinuar me hierarki dhe që funksionon si një ushtri e rregullt”, u shpreh ai.
Sipas tij, ishte “shumë e lehtë të visheshin disa persona me uniforma dhe bereta” për të krijuar pamje disipline, por kjo nuk përfaqësonte një strukturë të mirëorganizuar.