Ddrejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Si pasojë e përjashtimit nga ENQA dhe EQAR, u dëmtua imazhi i sistemit arsimor - Gazeta Express
string(124) "ddrejtori-i-agjencise-se-kosoves-per-akreditim-si-pasoje-e-perjashtimit-nga-enqa-dhe-eqar-u-demtua-imazhi-i-sistemit-arsimor"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 8:19

Ddrejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Si pasojë e përjashtimit nga ENQA dhe EQAR, u dëmtua imazhi i sistemit arsimor

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 8:19

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, tha se si pasojë e përjashtimit të kësaj Agjencie nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë (ENQA), u dëmtua imazhi i sistemit arsimor.

Gashi e tha një gjë të tillë derisa foli rreth procesit të akredimit të programeve dhe institucioneve arsimore, konkretisht rreth përjashtimit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA dhe EQAR në vitin 2018 dhe kthimit të saj më pas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ai tha se ndërhyrja kryesore ka qenë vendimi i kryeministrit dhe ish-ministrit të arsimit për shkarkimin e bordit të Agjencisë dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë.

Më tej, ai theksoi se për rrjedhojë janë përjashtuar nga EQAR-i dhe më pas nga ENQA.

“…dhe kjo ndërhyrje është shikuar nga EQAR-i si humbje e autonomisë financiare dhe institucionale të Agjencisë së Akreditmit. Dhe për rrjedhojë ka rezultuar me një vlerësim, me një rivlerësim të parakohshëm i cili ka rezultuar negativ dhe për rrjedhojë ne fillimisht jemi përjashtuar nga EQAR-i dhe më pas edhe nga ENQA, këto dy institucione jashtëzakonisht të rëndësishme për rëndësinë e arsimit të lartë”, tha ai.

Kurse tha se më pas, standardet të cilat i kanë plotësuar për rianëtarësim kanë qenë shumëfish më të larta sesa në anëtarësimin për herë të parë.

“Problemi kryesor ka qenë që në vitin 2021 ENQA e ka rishikuar statusin e saj dhe kriteret e saj për anëtarësim shumëfish kanë qenë më të ashpra dhe periudha ose përpjekja dhe standardet të cilat ne i kemi plotësuar për rianëtarësim kanë qenë shumëfish më të larta se që kanë qenë në herën e parë”, tha Gashi.

Ndërkaq,  theksoi se imazhi i sistemit të arsimit të lartë në Kosovë dhe i shtetit të Kosovës ka qenë pasoja kryesore.

“Pasoja krysore ka qenë imazhi i sistemit të arsimit të lartë të Kosovës dhe i shtetit të Kosovës. Në vitin 2020 kur ka marrë detyrën e drejtorit të agjencisë, agjencia në agjencitë homologe dhe institucionet e Bashkimit Evropian që merren me sigurimin e cilësisë ka qenë si institucion i stigmatizuar për arsye se ne kemi qenë një vend i vogël, një vend i dalë nga lufta, ku qeveria jonë atëbotë, në vitin 2018, ka ndërhyrë në mënyrë arbitrare dhe e ka thy autonominë institucionale të institucionit”, deklaroi ai.

Andaj, Gashi tha se puna e tyre kryesore ka qenë largimi i kësaj stigme negative për institucionin dhe më pas fillimi i plotësimit të 14 standardeve një nga një.

“Domethënë ka qenë shumëfish më i vështirë kthimi sesa anëtarësimi për herën e parë”, shtoi ai.