Afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese po afron drejt fundit, dhe me të po rriten pritjet për atë se çfarë do të ndodhë pas 30 shtatorit: a do të shpallet Kuvendi i konstituuar, a do të kthehet gjithçka në pikën zero, të shpallen zgjedhjet e reja, apo do të shfaqet një skenar krejtësisht i ri.
Marrë shkas kërkesën e Listës Serbe, Kushtetuesja e vendosi masën e përkoshme nga 5 deri më 30 shtator dhe si pasojë u ndalua çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë së re.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu i vendosi në tavolinë tre skenarë se çka mund të ndodhë pas 30 shtatorit si rrjedhojë e përmbajtjes së aktgjykimit të ri, që i bie të jetë i treti me radhë në lidhje me seancën konstituive që nisi më 15 prill.
Dy aktgjykime paraprake në lidhje me dilemat për mbarëvajtjen e seancës konstituive ishin nxjerrë nga Kushtetuesja, mirëpo nuk kanë kryer punë për dalë nga ngërçi.
Baraliu, bazuar në përvojën e tij, thotë se variantet se çka do të ketë akgjykimi i radhës, mund të sillen nga shpallja e Kuvendit si të konstituuar e deri te shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Varianti i parë, sipas tij, në qoftëse aktgjykimi do ta ketë orientimin e tillë që ta konsiderojë Kuvendi të konstituuar, ashtu siç është shpallur nga Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, “atëherë Kushtetuesja duhet të japë udhëzimet që në një nga mbledhjet e Kuvendit të konstituar, në qoftëse e konisderon të tillë, mund të vihet në rend të ditës zgjedhja e nënkryetarit të partive joshumicë serbe.”
Vetëm pasi mos të ketë mëdyshje që Kuvendi është konsituuar, Presidentes i hapet rruga për të mandatuar kandidatin për kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.
Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.
Mirëpo, ende nuk mundësitë nuk kanë arritur deri në atë pikë.
Skenari i dytë, sipas Baraliut, nëse Kushtetuesja vlerëson se nuk është konsituuar Kuvendi mund ta kthejë në pikën zero votimin për kandidatin nga radhët e partive serbe; ose edhe mund ta kthejë në pikën zero zgjedhjen e dy nënkryetarëve të partive joshumicë.
Kurse, skenari i tretë, Baraliu thotë se mund të jetë shkuarja në zgjedhje të reja të parakohshme.
“Kushtetuesja mund ta rekomandojë Presidenten të shpallë zgjedhjet, ose automatikisht ta urdhërojë Kuvendin të shkojë në zgjedhje, pa atë që Kushtetuta thotë se duhet të ketë një marrëveshje të shumicës, të votohet në seancë plenare dhe nëse ⅔ janë për shpërbërje të Parlamentit. Në këtë rast Presidentes sipas Kushtetutës i ipet kompetenca për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”- tha ai për KALLXO.com.
Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.
Shpresat më të mëdha janë që Kuvendi të shpallet i konstituuar në mënyrë që sa më shpejt të formohen institucionet e reja. Mirëpo, nuk është që nuk përjashtohet edhe mundësia për zgjedhje të reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehuar se Kushtetuesja do të marrë vendim për ta shpallur të konstituuar Kuvendin dhe që Kosova t’i themelojë sa më shpejtë institucionet e reja, tha se do ta caktojë mandatarin për kryeministër të vendit menjëherë pas aktgjykimit, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv.
“Menjëherë pas 30 shtatorit… me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”- tha Osmani
Osmani ka thënë se shteti nuk duhet të mbet peng i një nënkryetari, por duhet të vazhdojë puna e institucioneve.
Presidenca ka dërguar dy komente në Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Listës Serbe. Komenti i parë është: “Parimi i mosabuzimit të të drejtave të garantuara me Kushtetutë”, ndërsa i dyti: “Kuvendi i Kosovës nuk mund të bllokohet si pasojë e cilësdo parti apo komuniteti”.
“Në kushtet kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që Kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit nga moszgjedhja e një nënkryetari, përderisa Kryesia ka kourum, do të cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë” – ka thënë Osmani.
Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll më 28.08.2025 nga kryetari Dimal Basha, anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.
“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”- tha Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha gjatë mbylljes së seancës.
Emilja Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga partitë joshumicë joserbe.