Zyra Ligjore e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan njofton se ka paraqitur sot denoncimin zyrtar në organet kompetente, me kërkesë për identifikimin e autorëve dhe shpërndarësve të fletushkave anonime, “të cilat përmbajnë gjuhë të urrejtjes, shpifje dhe denigrim ndaj personalitetit të Kryetarit të Komunës, z. Imri Ahmeti”, thuhet në njoftim.
LDK dega në Lipjan thekson se “kjo praktikë e ulët politike, që synon dëmtimin e imazhit të kryetarit dhe të institucionit, përbën jo vetëm shkelje të normave demokratike e shoqërore, por edhe vepër të dënueshme ligjërisht”.
“Hapa të njëjtë do të ndërmerren dhe do të ndiqen në mënyrë të rregullt dhe zyrtare nga organet e rendit dhe drejtësisë edhe ndaj personave përgjegjës për hapjen e profileve dhe llogarive në rrjete sociale që merren me shpifje, fyerje dhe prodhim të propagandës me qëllim denigrues”, thuhet tutje.
“LDK Lipjan do të vazhdojë të mbrojë parimet e politikës së ndershme, konkurrencës së drejtë dhe respektit qytetar, duke refuzuar kategorikisht çdo tentim për degradim dhe shpërqendrim nga puna dhe rezultatet konkrete në shërbim të qytetarëve”, përfundon njoftimi.
Detaje: