Mesfushori i Barcelonës, Gavi, do t’i nënshtrohet një operacioni këtë javë për të trajtuar dhimbjet e vazhdueshme në gju, pasi ka kaluar tashmë një muaj jashtë fushës për shkak të dëmtimit. 21-vjeçari kishte shpresuar të rikuperohej pa ndërhyrje kirurgjikale, por Blaugranat njoftuan të hënën se operacioni është i domosdoshëm.
Gavi u përjashtua muajin e kaluar nga ndeshja e Barcelonës kundër Rayo Vallecanos për shkak të dhimbjeve të pashpjeguara në gju, duke humbur më pas sfidat ndaj Valencias, Newcastle United dhe Getafes këtë fundjavë. Pas tërheqjes nga kombëtarja e Spanjës dhe mungesës së përmirësimeve, një ekzaminim më i detajuar i gjurit zbuloi një problem me meniskun.
Tani ai do t’i nënshtrohet një artroskopie për të adresuar problemin në gjurin e djathtë. Njoftimi i klubit theksonte: “Përfundimi është se, për të garantuar rikuperimin më të mirë të mundshëm dhe kthimin në fushën konkurruese, të martën Gavi do t’i nënshtrohet një ekzaminimi artroskopik.” Pas ndërhyrjes, do të publikohet një deklaratë e dytë me rezultatet.
Ky operacion zakonisht kërkon të paktën pesë javë rikuperim, që do të thotë se Gavi pritet të synojë një rikthim në nëntor. Kjo periudhë përfshin pushimin ndërkombëtar, por ai pritet të humbasë të paktën shtatë ndeshje të Barcelonës. E fundit prej tyre, më 26 tetor, është El Clasico kundër Real Madridit, që bie pothuajse pesë javë pas operacionit, por gjasat janë që të jetë shumë herët për ta aktivizuar në një ndeshje të kësaj madhësie.
Para pushimit ndërkombëtar, Barcelona do të përballet me Real Oviedo, Real Sociedad, Paris Saint-Germain dhe Sevilla.
Para El Clasicos, ata do të ndeshen me Gironën dhe Olympiakosin në Champions League. Pas Clasicos në “Santiago Bernabeu”, Barça pret Elchen në shtëpi./GazetaExpress/