Një aksident ka ndodhur në Paskuqan, ku një 54-vjeçar në gjendje të dehur, ka përplasur me automjetin e tij një 26-vjeçar që lëvizte me motor elektrik. Policia bën me dije se ka marrë nën hetim 54-vjeçarin dhe vajzën e tij, pasi kjo e fundit ka gënjyer efektivët, ku ka deklaruar se ishte ajo në drejtimin e makinës.
Ndërsa 26-vjeçari i aksidentuar ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit: Sh. Z., 54 vjeç. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për vajzën e tij, shtetasen A. Z., 25 vjeçe, pasi në Paskuqan, automjeti që dyshohet se drejtohej nga 54-vjeçari në gjendje të dehur, është përplasur me një motoçikletë elektrike me drejtues shtetasin F. L., 26 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. 25-vjeçarja ka penguar në zbulimin e së vërtetës, duke deklaruar se kishte qenë ajo në drejtimin e automjetit dhe jo babai i saj”, thuhet në njoftimin e policisë.