Sonte do të jetë një natë e madhe në botën e futbollit.
Në “Théâtre du Châtelet” të Parisit do të përcaktohet fituesi i Topit të Artë 2025, por në këtë gala mbrëmje do të ndahen edhe çmimet tjera.
Ousmane Dembele është favorit i lehtë për ta fituar këtë çmim prestigjioz individual, ndërsa jo shumë prapa tij gjendet Lamine Yamal, po ashtu me gjasa për ta fituar këtë trofe, shkruan “Gazeta Express”.
Por, çka do të ndodhë nëse dy kandidatët apo favoritët kryesorë do të kenë numër të njëjtë votash.
Sipas rregullores, çmimi shkon tek lojtari që ka marrë më shumë vende të para nga votimet.
Por, nëse edhe në këtë rast gjithçka është e barabartë, atëherë diferencën dhe përcaktimin do ta bëjnë vendet e dyta ku janë plasuar lojtarët në fjalë.
Nëse edhe në këtë aspekt do të ketë barazi, atëherë vendimtare do të jenë vendet e treta ku kanë përfunduar ata me vota.
Më pas, një tjetër kriter është që, nëse edhe pas kësaj lojtarët mbesin baras, atëherë përparësi do t’i jepet lojtarit që vjen nga vendi me më shumë gazetarë votues (pra nga kontinenti më i përfaqësuar).
E në rastin më ekstrem, nëse kriteret e lartpërmendura janë krejtësisht të ngjashme, atëherë shpallet fitues i përbashkët.
Deri sot nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë, por për çdo rast, “France Football” nuk dëshiron t’ia lë rastit dhe ka vendosur rregulla të qarta për ta mbuluar çdo skenar të mundshëm. /Gazeta Express