Forumi i Kryetarëve të Gjelbër ka nisur punimet në Shqipëri, duke mbledhur kryetarë komunash, përfaqësues të njësive vendore, drejtues shkollash, mësues dhe nxënës.
Ky Forum bashkon komunitetet e nismës “Shkollat me Diell” dhe shënon hapin e parë drejt krijimit të Aleancës së Kryetarëve të Gjelbër.
Nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, tha se kjo nismë do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunën, e cila tashmë ka instaluar panele solare në gjashtë shkolla.
“Jam shumë i lumtur që, si pjesëmarrës në këtë rrjetëzim, Komuna e Fushë Kosovës ka përfituar panele solare për 6 shkollat tona. Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, ne bëhemi pjesë e një nisme të madhe që sjell përfitime serioze për agjendën e gjelbër,” u shpreh Osmani.
Ai shtoi se Aleanca e Kryetarëve të Gjelbër do të shërbejë si një trampolinë për bashkëpunim të qëndrueshëm mes komunave, duke garantuar rol aktiv të pushtetit lokal në tranzicionin e gjelbër.