Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës u zhvillua mes debatesh të forta lidhur me mënyrën e votimit për zgjedhjen e njërit prej tre nënkryetarëve në rolin e kryetarit të përkohshëm të bashkisë. Grupi socialist propozoi që votimi të ishte i hapur, ndërsa opozita kërkoi zhvillimin e procesit me votim të fshehtë.
Pasi propozimi për votim të hapur u miratua me shumicë votash nga këshilltarët socialistë, përfaqësuesit e opozitës bojkotuan procesin.
Në mungesë të tyre, me votat e këshilltarëve të pranishëm, Elis Halili u zgjodh kryetar i përkohshëm i Bashkisë Vlorë.
Menjëherë pas votimit, Halili mbajti një fjalë për mediat. Ai theksoi se do të vijojë të punojë për qytetarët vlonjatë dhe me ecurinë e projekteve.
“Unë jam Elis Halili, jam një djalë që kam lindur në Vlorë jam rritur këtu, fati por edhe shkollimi që kam marrë jam inxhinier më kanë sjellë për 7 vite në Vlorë. Kam drejtuar dhe kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve të këtij qyteti, këto projekte që e kanë shndërruar në këtë pikë që jemi sot. Për mua është kënaaqësi dhe detyrim që të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak më kanë besuar që të jem deri në përzgjedhjen e kryetarit. Gjatë kësaj periudhë bashkë me dy nënkryetarët do të jenë të i fokusuar vetëm në vazhdimësinë e projekteve”, tha ai.