Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se PD ka disa kandidatë “të shkëlqyer” për garën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, por nuk bëri publik asnjë emër konkret.
Berisha: Tani ajo pyetja. PD ka jo një, por disa kandidatë të shkëlqyer, të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit, e cila përbën kandidaten më të zezë në tërë historinë e qytetit të Tiranës.
Po unë besoj se kandidatët nuk mund të jenë gjë tjetër veçse emra. Ka emra… nuk jam unë i autorizuar të nxjerr emra këtu, por të siguroj që PD ka kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Covid-it.
Më tej Berisha tha se do të ulen me aleatët dhe partitë opozitare për të diskutuar për kandidatin e bashkisë Tiranë.
Berisha: Janë dy momente të rëndësishme. Së pari, PD do të bëjë përpjekje të hyjë me koalicion. Ne do përpiqemi të rakordojmë, biem në ujdi në bashkëpunim me ato parti që ndihen opozitare. Aty pastaj, sigurisht, debati do të jetë për kandidaturat. Ne nuk themi që, o kandidatura jonë, o nuk ka koalicion me ne. Por secili është i vetëdijshëm që zë kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD.
Prandaj dhe pasi të ulemi me aleatët dhe partitë opozitare të tjera, aleatë në tërësi, të debatohet, të diskutohet, do të ua japim kandidatin. PD ka jo një, por disa kandidat të shkëlqyer, brenda, jashtë kudo. Nuk kemi asnjë problem.