Diplomati britanik John Duncan gjatë dëshmisë së tij në Hagë, deklaroi se nuk ka parë asnjë dëshmi apo provë që Hashim Thaçi ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së.
“Nuk kam parë asnjë dëshmi as një provë të kësaj gjëje”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai e përshkroi rolin se si mund të jetë një komandant i përgjithshëm në një ushtri të rregullt.
“Komandanti i përgjithshëm lidhet kryesisht me komandimin dhe kontrollimin. Komandimi lidhet me të drejtën e lëshimit të urdhrave, udhëzimeve, direktivave, ndërkohë që kontrollimi ka në vetvete aftësinë për ta kryer këtë komandim dhe për të siguruar që urdhrat e dhëna apo udhëzimet e dhëna realizohen në mënyrë efektive. Pra, me fjalë të tjera kjo është një lloj realiteti apo politike që nuk të jep kompetenca absolute”, tha Duncan.
Dëshmitari theksoi se Thaçi dallohej që nuk ishte në këtë pozitë, vërehej edhe nga mënyra se si trajtohej nga krahu ushtarak gjatë takimeve.
“Sepse mënyra se si silleshin ata me atë gjatë negociatave është e tillë që ata e trajtonin atë si krahun politik- siç prisja unë që kishte një lloj ndikimi, një lloj autoriteti por jo si për dikë që kishte respekt ushtarak. Ishte e dukshme kjo. Domethënë, ata e respektonin gjeneralin Çeku sepse ai ishte oficer ushtarak me profesion dhe familja e tij kishte vuajtur në duart e serbëve dhe atë e shihnin si ushtarak profesionist”, tha ai.
Përveç kësaj, ai tha se kur shkonte Thaçi në këto takime, kishte një lloj tensioni politik.
“Kur mbërriti Hashim Thaçi kishte një lloj tensioni sikur që e kam parë unë zakonisht atëkohë. Ky ishte një tension tipik që ndodhë kur mbërrin një person që është politikan dhe kur në biseda janë të përfshirë dhe oficerë ushtarakë. Unë mendoj që ata e kanë parë Thaçin si një politikan të rëndësishëm për kauzën e tyre por nuk e kanë parë komandant ushtarak dhe kjo është përshtypja ime që kishin ata në raport me Thaçin”, u shpreh dëshmitari.
Veç kësaj, ai tha se nuk ka parë të jepen direktiva apo urdhra nga ana e Hashim Thaçit.