Violina e shkencëtarit Albert Ajnshtajn, që daton nga viti 1894, pritet të shitet deri në 300,000 paund në ankand, në Gloucestershire të Anglisë, muajin e ardhshëm.
Instrumenti muzikor është një nga disa sende që dikur i përkisnin Albert Ajnshtajnit dhe do të dalë në ankand në shtëpinë e ankandeve të Dominic Winter në South Cherney më 8 tetor.
Gjithashtu në shitje është një shalë biçiklete dhe një libër filozofie që Ajnshtajni ia dha një miku në vitin 1932.
Eksperti Chris Albury, i tha BBC-së se ishte i emocionuar për shitjen e “sendeve jashtëzakonisht historike”. Violina Zunterer në madhësi reale besohet të jetë e para që vetë Ajnshtajni bleu.
Të gjitha sendet e paraqitura në ankand iu dhanë mikut të tij të mirë dhe fizikantit tjetër Max von Laue, në fund të vitit 1932.
Menjëherë pas kësaj, Ajnshtajni iku në Amerikë për t’i shpëtuar rritjes së antisemitizmit dhe nazizmit në Gjermani. Njëzet vjet më vonë, Max von Laue ia dhuroi ato një të njohure dhe admirueseje të Ajnshtajnit, Margarete Homrich dhe tani stërmbesa e saj po i ofron ato në shitje.
Një violinë tjetër që dikur i përkiste Ajnshtajnit, e cila iu dha atij si dhuratë kur mbërriti në SHBA në vitin 1933, u shit në ankand për 516,500 dollarë (370,000 £) në Nju Jork, në vitin 2018.