Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka vizituar sot fermën e Burim Gashit në fshatin Vragoli.
Osmani tha se Gashi vjen nga një familje me përvojë mbi 40-vjeçare në bujqësi dhe se puna e tij është shembull për të gjithë komunën.
“Burimi vjen nga një familje me 40 vite përvojë familjare në këtë zanat dhe është furnizues i shumë mishtoreve në mbarë Kosovën. Me bika shumë të shëndetshëm dhe një pastërti të jashtëzakonshme në çdo pjesë të fermës, Burimi tregon punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e gjatë të tij, duke punuar mbi 100 hektarë të arave të komunës sonë dhe duke e zgjeruar fermën nga vetëm 5 krerë në mbi 55 krerë,” deklaroi Osmani.
Ai shtoi se mbështetja për bujqit do të jetë prioritet i tij.
“Ne mbetemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen për bujqit tanë dhe të jemi pranë tyre çdo herë, sepse ata janë zemra e prodhimit tonë ushqimor,” u shpreh kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës.