Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur Palestinën si shtet, në një veprim me sa duket të koordinuar që shton presionin mbi Izraelin dhe i vë të tre vendet në kundërshtim me SHBA-në, raporton CNN.
Kanadaja
Kanadaja ka njoftuar se njeh Shtetin e Palestinës. Kryeministri Mark Carney shkroi në X: “Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit për një të ardhme paqësore si për shtetin e Palestinës ashtu edhe për shtetin e Izraelit”.
Carney kishte thënë në korrik se vendi i tij synonte ta njihte Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në atë kohë plani nxiti dënime nga zyrtarët izraelitë, të cilët e paraqitën vendimin si një “shpërblim për Hamasin”.
“Autoriteti Palestinez ka hequr dorë nga dhuna, e ka njohur Izraelin dhe është i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete”, tha një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze për CNN pak para shpalljes së njohjes të dielën. “Ne po e njohim Shtetin e Palestinës në mënyrë që të fuqizojmë ata që kërkojnë bashkëjetesë paqësore dhe ta margjinalizojmë Hamasin”.
Përpara deklaratës së Carney-t, zyrtarë të lartë kanadezë kundërshtuan reagimin negativ të Izraelit ndaj vendimit, duke i thënë CNN se njohja e Palestinës “nuk po bëhet për ta ndëshkuar Izraelin”.
Australia
Australia ka ndjekur menjëherë shembullin e Kanadasë duke njohur zyrtarisht Shtetin “e pavarur dhe sovran” të Palestinës.
“Duke bërë këtë, Australia njeh aspiratat legjitime dhe të kahershme të popullit të Palestinës për një shtet të tyre”, thanë Kryeministri australian Anthony Albanese dhe ministrja e Punëve të Jashtme Penny Wong në një deklaratë të përbashkët.
Njohja e Palestinës nga Australia është pjesë e një “përpjekjeje të koordinuar ndërkombëtare për të ndërtuar një vrull të ri drejt një zgjidhjeje me dy shtete, duke filluar me një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve të marra në mizoritë e 7 tetorit 2023”, shtohej në deklaratë.
Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi të dielën se Mbretëria e Bashkuar po e njeh zyrtarisht shtetin palestinez dhe po ringjall shpresën për një zgjidhje me dy shtete, në hap me Australinë dhe Kanadanë.
Përballë tmerrit gjithnjë e më të madh në Lindjen e Mesme, Starmer tha se MB po vepron për ta mbajtur gjallë mundësinë e paqes.
Starmer tha se njohja nuk është shpërblim për Hamasin, siç ka pretenduar Izraeli. Thirrja e MB për një zgjidhje me dy shtete do të thoshte se Hamasi nuk mund të kishte asnjë të ardhme, tha ai.
Starmer gjithashtu tha se shkatërrimi i patolerueshëm në Gaza duhet të marrë fund.