Uniformat shkollore në Komunat e Shkupit: Disa falas, disa me pagesë shtesë në kurriz të prindërve - Gazeta Express
string(96) "uniformat-shkollore-ne-komunat-e-shkupit-disa-falas-disa-me-pagese-shtese-ne-kurriz-te-prinderve"

Maqedoni

Gazeta Express

21/09/2025 10:14

Uniformat shkollore në Komunat e Shkupit: Disa falas, disa me pagesë shtesë në kurriz të prindërve

Maqedoni

Gazeta Express

21/09/2025 10:14

Viti shkollor për nxënësit e shkollës fillore në Butel filloi me përpilimin e listave për blerjen e uniformave shkollore. Por, për dallim nga viti i kaluar kur kompleti prej tre pjesësh, dy bluza me mëngë të shkurtra dhe një bluzë me mëngë të gjata, u ble nga komuna, këtë vit ato do të duhet t’i paguajnë prindërit, përcjell Gazeta Express Portalb.mk.

Një pjesë e madhe e veshjeve të vitit të kaluar janë të konsumuara ose janë zvogëluar, ndërsa veshja e uniformave me logon e komunës gjatë mësimit është e detyrueshme.

Kështu, projekti që duhej ta zvogëlonte “dallimin klasor që krijohet midis nxënësve”, por edhe shpenzimet e prindërve, këtë vit u shndërrua në një ngarkesë të re për buxhetin e prindërve.

Kur bëhet fjalë për uniformat shkollore çdo komunë e ka politikën e vet.

Disa, si Komuna Qendër, në këtë histori u futën këtë vit pak para zgjedhjeve lokale. Kisella Voda dhe Buteli uniforma blenë vitin e kaluar, Gazi Baba nga parvjet, ndërsa Komuna e Aerodromit ka dekada përvojë me blerjen e tyre dhe është e vetmja që i siguron ato vazhdimisht.

Këtë vit uniforma falas vetëm për nxënësit e klasës së parë

Vitin e kaluar, Komuna e Butelit shpenzoi mbi 100.000 euro për një komplet uniformash shkollore për rreth 4.700 nxënës. Këtë vit kjo komunë ka njoftuar se uniforma falas do ketë për nxënësit e klasës së parë në këtë komunë, ndërsa sipas udhëzimeve aktuale në bibliotekën e shkollës të tjerët do t’i përdorin të vjetrat ose do të blejnë vetë të reja.

Mbajtja e uniformës shkollore nuk është një risi, por u aktualizua kohëve të fundit kur komunat filluan të kopjojnë njëra-tjetrën dhe ta prezantojnë atë si një masë të detyrueshme për nxënësit e tyre. Këtë tashmë e kanë bërë gjysma e komunave të Shkupit, me ç’rast blerjen e uniformave shkollore e kanë përfshirë në programet buxhetore për këtë vit.

Por kjo nuk është një zë i vogël për to. Vetëm për vitin aktual shkollor pesë komuna të Shkupit do të shpenzojnë pothuajse 900 mijë euro. Këtu nuk është përfshirë shpenzimi shtesë i prindërve që do të kenë nevojë të blejnë një uniformë rezervë.

Të gjitha paratë do të përfundojnë tek tre kompani, të cilat i fituan tenderët e komunave.

Tenderë sipas masës – si i “qepin” komunat uniformat shkollore

Ajo që është e përbashkët për të gjithë është se ideja për blerjen e uniformave zakonisht vjen nga kryetari i komunës, e pasi votohet nga Këshilli ajo duhet të zbatohet nga shërbimet komunale. Kjo do të thotë që ata e përpilojnë tenderin, d.m.th. vendosin se si do të duken bluzat, sa pjesë do të blihen për një nxënës, nga çfarë materiali do të punohen…

Nga mënyra se si është shkruar tenderi do të varet shumë se kush do ta fitojë tenderin. Ky përfundim mund të arrihet lehtë në rastin e prokurimit komunal të uniformave shkollore.

Tenderë për prokurimin e uniformave shkollore këtë vit janë realizuar edhe në Kriva Pallankë, Shtip, Zelenikovë, Petrovec dhe Strumicë. Disa nga komunat blejnë për të gjithë nxënësit e shkollave fillore, të tjera vetëm për nxënësit e klasës së parë ose në faza për një pjesë të nxënësve të shkollave fillore.

Ilustrimi më i mirë janë tenderët e shpallur këtë vit nga Komuna e Aerodromit dhe Komuna Qendër. Ato i kanë të njëjtat specifikime teknike për uniformën dhe e kanë zgjedhur të njëjtën kompani për t’i blerë ato – “Link Media Plus”, e njohur kryesisht për fitimin e tenderëve për dekorimet e Vitit të Ri për vite me radhë, ndër të tjera, edhe në këto dy komuna.

Por, nëse i shikojmë specifikimet teknike për uniformat shkollore për dy komunat mund të konkludojmë se ato janë pothuajse identike. Ato e blejnë të njëjtën sasi artikujsh për nxënës: dy bluza polo me mëngë të shkurtra dhe dy me mëngë të gjata, si dhe një bluzë dimërore. E përderisa Komuna e Aerodromit ka gjashtë vjet që bashkëpunon me “Link Media Plus”, Komuna Qendër është e re në këtë proces.

“Dizajni i uniformave u vendos mbi bazë të udhëzimeve të fituara përmes anketave të kryera me prindërit. Detajet dhe dizajni përfundimtar u krijuan në bashkëpunim me stafin udhëheqës, mësimdhënës dhe profesional të shkollave, si dhe me shërbimet kompetente komunale”, thanë për BIRN nga Komuna Qendër lidhur me vërejtjen për uniformat identike me komunën fqinje.

Ato dallojnë vetëm për nga logot dhe ngjyrat. Çdo gjë tjetër është e njëjtë, si nga pozicioni i dy kopsave, lloji i qepjes, deri te përbërja e materialit dhe dy vijat në jakat e bluzave.

Si Qendra ashtu edhe Aerodromi në dokumentacionin e tenderit kanë kërkuar bluza përbërja e të cilave është 55 përqind pambuk me 45 përqind poliester, si dhe bluza dimërore me mëngë të gjata të cilat janë tërësisht të bëra nga poliesteri.

Kontrata për uniformat në Aerodrom, të cilat këtë vit do t’i veshin 7.500 nxënës të shkollave fillore, është me vlerë prej 300 mijë euro, ndërsa në Qendër 210 mijë euro të tjera për 4.900 nxënës

Në ato komuna ku janë kërkuar uniforma pambuku tenderët zakonisht i ka fituar një kompani tjetër – “Armarium Group”, e cila është e specializuar për prodhimin e veshjeve të sipërme. Kjo është kompania që tashmë për tre vite me radhë i ka qepur uniformat për nxënësit e shkollave fillore në Gazi Babë dhe ishte ofertuesi i vetëm në dy nga tre tenderët. E njëjta kompani i ka qepur edhe uniformat për nxënësit e shkollave fillore në Butel, si dhe uniformat e vitit të kaluar për në Kisella Voda. Këtë vit, Kisella Voda zgjodhi një kompani të re për këtë prokurim, “Bojan Promet”.

Kompania ka qenë ofertuesi i vetëm i paraqitur, ndërsa përzgjedhjes së saj i paraprin një ndryshim në kushtet për pjesëmarrje në tenderin me vlerë rreth 140.000 euro. Detyrimi për të paraqitur prova për kryerjen e këtij lloji të prokurimit në tre vitet e fundit në dokumentacionin e tenderit u zëvendësua me kushtin që ofertuesi të ketë të paktën një pikë shitjeje në Shkup për veshje për fëmijë.

“Bojan Promet” është një kompani që merret me shitjen e veshjeve për fëmijë.

Barazi sipas një çmimoreje të ndryshme

Analiza e prokurimeve publike tregon se çmimi për nxënës dallon ndjeshëm nga komuna në komunë dhe atë varësisht nga numri i veshjeve që blihen. Nëse në Aerodrom dhe Qendër nxënësit marrin nga pesë artikuj secili, në Gazi Babë marrin nga katër, ndërsa në Kisella Vodë dhe Butel vetëm nga tre.

Këto dallime ndikojnë në çmimin përfundimtar që e paguan komuna, por edhe në atë se sa do të jetë goditja shtesë për buxhetin familjar me qenë se në këto komuna uniformat janë bërë të detyrueshme.

Kështu prindërit mbeten hallka e fundit që paguan çmimin – përmes buxhetit, por edhe drejtpërdrejt kur duhet të blejnë një uniformë shtesë direkt nga kompanitë që i kanë fituar tenderët.