“Ai mund ta fitojë Topin e Artë, pa asnjë dyshim.”
Ronaldinho ende po pret që parashikimi i tij për Topin e Artë të bëhet realitet para ceremonisë së së hënës mbrëma në Paris, ndonëse mundësitë që kjo të ndodhë së shpejti janë pothuajse zero.
Ish-ylli i Brazilit, i cili konsiderohet si një nga futbollistët më teknikë të të gjitha kohërave, do të prezantojë trofeun e Topit të Artë për fituesin e këtij viti më 22 shtator.
Ousmane Dembele është favoriti për të fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll pas një sezoni të shkëlqyer 2024-25 me PSG, ndërsa në garë janë edhe Lamine Yamal, Raphinha dhe Vitinha.
Dembele duhet ta fitojë çmimin të hënën mbrëma, sipas Paul Pogba.
“Ai do të jetë gjithmonë pak përpara Yamal [këtë vit], edhe pse ai shkëlqeu, sepse fitoi Ligën e Kampionëve,” tha kampioni i botës.
“Ai ishte kaq i rëndësishëm, duke shënuar gola në ndeshje të mëdha dhe duke bërë gjëra të jashtëzakonshme. Ky është viti i tij; nëse nuk e fiton tani, nuk do ta fitojë kurrë. Prandaj unë padyshim do të votoja për [Dembele].”
Pogba, i cili po përpiqet të ringjallë karrierën te skuadra e Ligue 1, Monaco, pas një ndalimi të gjatë për doping, dikur ishte mbështetur nga Ronaldinho si kandidat për Topin e Artë.
Në fakt, ish-ylli i Barcelonës ishte i bindur se ai do ta bënte një ditë.
“Ai mund ta fitojë Topin e Artë, pa asnjë dyshim,” i tha Ronaldinho Canal Football Club në prill 2018.
“E shoh Pogban si mik, jo si dikë që më sheh si idol. Ai është i ri, i talentuar dhe ka aftësinë të luajë kudo: mund të luajë i lirë, si defensiv, si mesfushor vrapues apo si sulmues.”
“Ai ka tiparet e një lojtari që mund të mbushë çdo pozicion, ai mund të bëjë histori,” shtoi Ronaldinho.
Në atë kohë, Pogba luante nën drejtimin e Jose Mourinhos te Manchester United.
Ronaldinho e mbështeti francezin që të përmirësohej nën “Special One”, duke shtuar:
“Besoj se Paul ka shumë për të mësuar nga Mourinho, i cili është një nga trajnerët më të mirë në botë. Një trajner që ka fituar kaq shumë tituj duhet të respektohet.”
Megjithëse tregoi shpërthime të talentit, Pogba në fund nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e mëdha në “Old Trafford” dhe në vitin 2022 u largua si lojtar i lirë.
Tre vite më pas, Pogba ende po pret debutimin me Monacon. Ai nuk ka luajtur që prej ndeshjes së Juventusit në Serie A kundër Empolit në shtator 2023.
32-vjeçari u pezullua për katër vjet në 2023 pasi një mostër e marrë pas një ndeshjeje kundër Udineses tregoi prezencën e DHEA – një substancë që nxit prodhimin e hormoneve në trup, përfshirë testosteronin.
Pogba mohoi “që me vetëdije apo me dashje të kishte marrë suplemente që shkelin rregullat antidoping” dhe, pas një apelimi, dënimi i tij u ul në 18 muaj. /GazetaExpress/