Kur Andy Burnham mbajti një fjalim në një darkë gala këtë javë, ai ishte sa më i përmbajtur që mund të ishte, në një javë kur spekulimet për ambiciet e tij të ardhshme kishin arritur kulmin.
“E dua këtë punë,” tha kryetari i bashkisë së Greater Manchester. “Jam shumë i kënaqur aty ku jam. Nuk kam asnjë ambicie të bëhem… ambasador në Uashington.”
Ishte një batutë që shkaktoi të qeshura të mëdha. Burnham kurrë nuk ka luajtur rolin e politikanit që bën sikur nuk dëshiron të hyjë në Nr. 10 (rezidenca e kryeministrit). Por as nuk jep përgjigjen standarde të politikanëve ambiciozë duke thënë se “aktualisht nuk ka një vend të lirë.”
Në vend të kësaj, ai ndjek një qasje më të ndershme: që ai nuk do të kishte kandiduar dy herë për të udhëhequr Partinë Laburiste nëse nuk do ta donte vërtet atë punë. Gjatë viteve, ai e ka bërë të qartë për Keir Starmer se shpreson një ditë ta pasojë atë.
Por askush – as vetë Burnham – nuk e kishte menduar se kjo çështje do të hapej kaq shpejt. Qeveria e Starmer ka rënë ndjeshëm në popullaritet, partia Reform e Nigel Farage është në ngritje, një rebelim i madh në Parlament për çështjen e mirëqenies sociale ka dobësuar kryeministrin – dhe tre skandale brenda dy javësh çuan në largimin e një zëvendësdrejtueseje dhe të një ambasadori.
Pas një vere të dominuar nga Farage, gjithnjë e më shumë deputetë kanë filluar të besojnë se shpëtimi i tyre ndodhet në veri. Ata variojnë nga deputetë socialistë që e admirojnë Burnham për qëndrimin e tij jashtë fraksioneve partiake, deri te deputetë centristë të sapozgjedhur që e vlerësojnë për zhvillimin ekonomik që ka sjellë në Greater Manchester.
“Politikat e tij tani janë në zemrën progresive të Partisë Laburiste,” tha një burim nga brenda partisë.
Miku i tij më i ngushtë në politikë sot, kryetari i bashkisë së rajonit të qytetit të Liverpool-it, Steve Rotheram, thotë se shtatë vitet e fundit e kanë formësuar Burnham-in si kurrë më parë.
“E njoh prej 18 vitesh. E kam parë sesi filloi të formësonte politikën pasi la Westminster-in,” tha ai. “Para kësaj, ishte politika që po e formësonte atë.”
Neal Lawson, drejtori ekzekutiv i think-tank-ut Compass, i cili është bashkëthemelues i grupimit të ri brenda Laburistëve të quajtur Mainstream, të cilin Burnham e ka mbështetur, tha se kryetari i bashkisë tani “ndihet rehat me veten dhe me bindjet e tij. Dhe kjo është menjëherë tërheqëse, qoftë për të majtët apo të djathtët.”
Ai beson se Burnham është pasardhësi më i besueshëm nëse Starmer dështon.
“Nuk ka një lider të përsosur, por përballë një krize ekzistenciale si kjo që po përjetojmë me kërcënimin nga e djathta ekstreme dhe rënien e Partisë Laburiste një lider i mirë mjafton,” tha ai.
Aleatët e Burnham thonë se ai është gati të kandidojë dhe thjesht po pret mundësinë e duhur.
Ende ka pengesa të mëdha që i ashtuquajturi “mbreti i veriut” të udhëheqë një “ushtri” drejt jugut për të marrë Westminster-in – por ka edhe hapësira të mundshme. Hapi i parë drejt një gare për lidershipin do të ishte që Burnham të kishte një vend në Parlament.
Një vend i tillë ishte identifikuar. The Guardian kupton se deputeti i Gorton dhe Denton, Andrew Gwynne, i cili u pezullua nga Partia Laburiste dhe tani vepron si i pavarur, kishte aplikuar për të marrë pension mjekësor nga fondi i pensioneve të deputetëve, duke u bazuar në arsye shëndetësore.
Megjithatë, burime të brendshme thonë se ai më pas nuk e ka ndjekur më këtë aplikim. Nuk është e qartë pse. Gwynne nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment.
Thuhet se Burnham i ka thënë një deputeti me ndikim më herët këtë vit se ai dhe Andrew Gwynne kishin arritur një marrëveshje. Por aleatët e tij mohojnë se ai ka pasur ndonjë bisedë me deputetë për të dhënë dorëheqjen për t’i hapur rrugë atij.
“Nuk ka asnjë marrëveshje,” këmbënguli njëri prej tyre.
Burime nga Parlamenti sugjerojnë se mund të ketë mundësi të tjera në horizont, pasi të paktën dy deputetë nga Manchester, të shkarkuar gjatë riformatimit të fundit, thuhet se ndihen të zhgënjyer nga drejtuesit e partisë.
“Mbyllet një derë, hapet një tjetër,” tha një burim.
Pengesa tjetër për Burnham është edhe më e madhe: ai nuk ka asnjë garanci se do të marrë emërimin nëse vendos të rikthehet në Westminster përmes një zgjedhjeje të pjesshme.
Ambiciet e Burnham nuk janë arsyeja e vetme pse ai do ta kishte të vështirë përballjen me “makinerinë” e partisë. Marrëdhënia mes tij dhe kryeministrit është thellësisht e tensionuar.
Starmer ka qenë zëvendësi i Burnham kur ky i fundit ishte ministër i brendshëm në hije. Sipas biografisë së Starmer shkruar nga Tom Baldwin, në vitin 2020 Starmer udhëtoi në Manchester për të kërkuar mbështetjen e Burnham për kandidaturën e tij për lider. Kryebashkiaku tha jo. Ai ndjeu se duhej të mbështeste një nga dy deputetet lokale që kandidonin, Rebecca Long-Bailey apo Lisa Nandy.
Starmer, i cili sipas miqve të tij nuk e pëlqen të kërkojë favore, u zemërua shumë. Marrëdhënia mes tyre nuk është rikuperuar që atëherë, dhe armiqësia u thellua edhe më shumë në konferencën e Partisë Laburiste në vitin 2021, kur Starmer po përpiqej të rifitonte terren gjatë “efektit të vaksinës” që po i ndihmonte konservatorët.
Fytyra e Burnham ishte kudo, duke lënë të nënkuptohej se kishte ambicie për lidershipin.
“Ishte e padurueshme,” tha një ndihmës i afërt. Në atë kohë, Burnham u përgjigj se ata që ndiheshin të ofenduar duhej “të mos ishin kaq të ndjeshëm, ndoshta”, lidhur me përpjekjet e tij për të hapur debat mbi mungesën e vizionit në parti.
Tani, ndërsa qeveria laburiste e Starmer përballet me një të djathtë në ngritje, Burnham ka qenë në ballë të lançimit të Mainstream, duke kërkuar “një mënyrë më përfshirëse dhe më pak fraksioniste të drejtimit të partisë.”
Kjo nismë synon të ushtrojë presion për reformim në mënyrën se si funksionon Partia Laburiste, por mund të shndërrohet edhe në një platformë për një kandidaturë për lidership.
Një tjetër ndërlikim: përzgjedhja e Burnham si kandidat nëse ndodh një zgjedhje e pjesshme do të jetë në dorë të Komitetit Ekzekutiv Kombëtar të Laburistëve (NEC).
Shefi i stafit të Starmer, Morgan McSweeney, ka kontrolluar me rreptësi përzgjedhjet deri në zgjedhje. Por bllokimi i Burnham do të ishte një skandal shumë më i madh dhe Lucy Powell, një aleate e ngushtë e Burnham, do të zërë një vend në NEC nëse bëhet zëvendëslidere.
Fati i tij, megjithatë, do të vendosej përfundimisht nga një panel me tre persona i NEC-ut – të cilët mund të zgjidhen për besnikërinë e tyre.
“Sigurisht që është e mundur ta bllokojnë,” tha një deputet skeptik. “Thjesht do të merrnin një goditje politike të madhe nëse e bënin. Të lejosh Andy Burnham të futet pas presionit nga deputetët e tyre që ankohen vazhdimisht, vetëm që ai më pas të sfidojë lidershipin – do të ishte tipike për këtë Nr.10 të paaftë.”
Edhe nëse Burnham fiton ndonjë përzgjedhje, në klimën aktuale, është e mundur që Reform UK të fitojë atë vend. Miqtë e kryebashkiakut janë të bindur.
“Andy është një figurë e rëndësishme në vetvete, dhe njerëzit në Greater Manchester e dinë që ai është në anën e tyre, pavarësisht se çfarë mendojnë për Partinë Laburiste në nivel kombëtar.”
Si një këshilltar i ri politik, dhe më pas ministër, Burnham kishte reputacion si një Blairist, por kur Ed Miliband ishte lider, ai filloi të zhvendosej më majtas. “Ankohej se ishim shumë Hampstead dhe jo mjaft Hull,” tha një bashkëkohës i tij.
Si një nga figurat kryesore të frontit të opozitës nën drejtimin e Miliband, Burnham luajti një rol vendimtar në atë që pasoi. Gjatë reformimit të rregullave për zgjedhjen e liderit në vitin 2014, ai “shtyu shumë fort” për të ulur pragun e domosdoshëm të nominimeve nga deputetët në 10%, nga propozimi fillestar prej 20%, duke u ankuar se ky prag i lartë do ta pengonte atë të kandidonte në të ardhmen. Siç doli më vonë, ky ndryshim i hapi rrugën edhe kandidimit të Jeremy Corbyn.
Fushata e tij e dytë për lidership në vitin 2015 ishte një kthesë, një që “është pothuajse e dhimbshme të kujtohet,” sipas një mbështetësi. Në një devijim të fortë djathtas, ai nisi fushatën e tij në zyrat e Ernst & Young, i shoqëruar në podium nga Rachel Reeves, e cila sot është kancelarja e financave në kabinetin e Starmer.
Para një audience me biznesmenë të mbledhur, ai deklaroi se sipërmarrësit “do të jenë po aq heronj për ne sa edhe infermierët”, duke premtuar se do të hiqte taksën ndaj vilave luksoze dhe se duhej mbajtur një referendum i hershëm për anëtarësinë në BE.
Ishte një kthesë e gabuar e qartë. Ndoshta e nxitur nga bindja se, përkrahësit e tij në parlament e shihnin pikën e tij të dobët tek perceptimi si shumë majtas. Madje qarkullonin thashetheme se deputetët që mbështesnin Burnham-in u nxitën të nominonin Jeremy Corbyn-in, që të kandidonte nga e majta dhe ta bënte Burnham-in të dukej si qendror. Por kjo doli të ishte një keqkuptim katastrofik i qëndrimeve të anëtarësisë së partisë.
Kur Corbyn fitoi, Burnham ishte i vetmi nga kandidatët e tjerë për lidership që pranoi të shërbente në kabinetin e tij të opozitës. Ai qëndroi besnik dhe nuk ishte pjesë e grupit të përfaqësuesve që dhanë dorëheqje masive në vitin 2016 për të tentuar ta rrëzonin Corbyn-in. Në të njëjtin vit, ai hoqi dorë nga parlamenti dhe kandidoi me sukses për t’u bërë kryetari i parë i qytetit të madh të Manchesterit.
Në pothuajse një dekadë si kryetar bashkie, qyteti nën drejtimin e Burnham ka qenë një histori suksesi për decentralizimin. Është një nga të paktat pjesë të vendit që ka parë rritje ekonomike. Ai ka përdorur kompetencat e reja në transport për të krijuar Rrjetin Bee (Bee Network) një sistem autobusësh tani plotësisht nën kontrollin e autoriteteve lokale, i projektuar për përdoruesit, jo për fitimin.
Por ishte mbrojtja që i bëri qytetit gjatë pandemisë së Covid-it ajo që i solli atij njohjen si një mendimtar i pavarur dhe një luftëtar.
Një tjetër kauzë që e ka formuar figurën e Burnham ka qenë fushata e tij e palodhur për viktimat e tragjedisë së Hillsborough. Për cinikët, ai e mori këtë çështje vetëm pasi u fishëllye nga turma në stadiumin e Anfield gjatë një ceremonie përkujtimore, kur ishte ende ministër kulture dhe qeveria po rezistonte ndaj një hetimi të plotë. Edhe vetë Burnham e pranon se ajo ishte një pikë kthese; ai e ngriti çështjen në kabinet brenda pak ditësh. Kjo ishte hapi i parë drejt hetimit që përfundimisht do të nxirrte përfundimin se vdekjet ishin vrasje të paligjshme.
Në parlament ende ka disa deputetë me profil të lartë që mbeten të afërt me Andy Burnham, si ish-ministrja e kabinetit Louise Haigh, si dhe Lucy Powell, dhe miq të tjerë në kabinet si Lisa Nandy dhe Jonathan Reynolds. Ai gëzon një besnikëri të konsiderueshme nga deputetë në të gjithë spektrin politik në zonën e Manchesterit të Madh – por edhe në Liverpool dhe zonat përreth.
Një grup që prej kohësh është ngrohur me idenë e një kandidature të Andy Burnham janë deputetët e Socialist Campaign Group që dikur do quheshin Corbynistë. Por edhe të tjerë, përfshirë deputetë të rinj nga Labour Growth Group, tërhiqen nga ideja e një veriori popullor në krye, me përvojën e drejtimit të një qyteti të madh që ka pasur rritje të ndjeshme ekonomike.
Megjithatë, këta të fundit po aq lehtë mund të largohen nëse ai lidhet ngushtë me të parët. Burnham do të marrë pjesë në një aktivitet në konferencën e Partisë Laburiste javën që vjen, së bashku me disa rebelë të spikatur të krahut të majtë, përfshirë Clive Lewis, Nadia Whittome dhe Rachael Maskell.
“Rebelët më të ashpër për çështjet e mirëqenies janë tashmë me të ai duhet me urgjencë të ndërtojë një koalicion më të gjerë brenda grupit parlamentar të Laburistëve, ndryshe nuk do të bëhet as deputet, e jo më të ketë numrat për një sfidë,” paralajmëroi një burim i lartë brenda Partisë Laburiste.
Shumë nga miqtë e tij thonë se nëse Burnham kthehet në Westminster, ata e dinë që ai do ta gjente të mbyllurën e Whitehall-it thellësisht zhgënjyese.
“Unë nuk do ta bëja për asgjë,” tha Steve Rotheram.
“Nuk mendoj se ‘flluska’ e Westminster-it është një mënyrë e shëndetshme për të bërë politikë ka shumë shpërqendrime, shumë lobistë por ajo që mund të them është se të pasurit e përvojës sonë është një avantazh i madh.
“Nëse Andy ndonjëherë vendos të kthehet, do ta ketë si shtysë pikërisht ndryshimin ndryshimin e gjithë mënyrës se si bëhet politika në këtë vend. Kjo është një vendim i madh për të, duke marrë parasysh se ku ndodhet aktualisht.”/The Guardian