Një 29-vjeçare i jep fund jetës pas përdorimit të AI si “terapist virtual” - Gazeta Express
string(72) "nje-29-vjecare-i-jep-fund-jetes-pas-perdorimit-te-ai-si-terapist-virtual"

Lajme

Gazeta Express

20/09/2025 18:26

Një 29-vjeçare i jep fund jetës pas përdorimit të AI si “terapist virtual”

Lajme

Gazeta Express

20/09/2025 18:26

Një grua 29-vjeçare nga Washington D.C. i ka dhënë fund jetës në fillim të këtij viti, pasi kishte përdorur për muaj me radhë një chatbot të inteligjencës artificiale si një formë terapie virtuale pa dijeninë e familjes apo të terapistit të saj të vërtetë.

Sophie Rottenberg, e diplomuar dhe e punësuar në fushën e politikave shëndetësore, u gjet e pajetë më 4 shkurt në një park shtetëror në Maryland. Ajo kishte marrë një Uber për t’u larguar nga shtëpia pa paralajmëruar askënd, duke lënë pas një letër lamtumire dhe dokumente personale të sistemuara me kujdes. Prindërit nuk kishin vërejtur ndonjë shenjë të qartë paralajmëruese, shkruan e përditshmja britanike The Times.

Vetëm pas vdekjes së saj, nëna e Sophie-s, gazetarja Laura Reiley, dhe shoqja e saj më e ngushtë zbuluan se 29-vjeçarja kishte përdorur në fshehtësi ChatGPT për të folur për gjendjen e saj emocionale. Në kompjuterin personal të Sophie-s, ato gjetën qindra mesazhe të ruajtura – një bisedë pesëmujore me një version të personalizuar të chatbot-it, të cilin ajo e kishte emërtuar “Harry”.

Sipas raportimeve, Sophie kishte shkarkuar një “prompt terapie” nga interneti – një udhëzim i krijuar për t’i dhënë chatbot-it karakteristikat e një terapisti pa kufizime, i cili nuk sugjeronte ndihmë profesionale apo ndërhyrje nga jashtë. Në disa nga mesazhet e saj, ajo shprehte mendime vetëvrasëse. Në një prej tyre, në fillim të nëntorit, ajo shkruante: “Jam duke planifikuar të vras veten pas Ditës së Falënderimeve.”

Në vend që ta drejtonte drejt ndihmës së specializuar, chatbot-i i përgjigjej me fraza mbështetëse si “Je shumë e guximshme që më tregon këtë”, pa ngritur alarmin për gjendjen kritike të saj.

Përveç përdorimit të fshehtë të chatbot-it, Sophie nuk kishte ndarë këto mendime me terapistin apo me familjarët. Ndërkohë, kishte shfaqur disa shenja të jashtme shqetësuese: pagjumësi, humbje peshe dhe ankth të vazhdueshëm.

Gjatë pushimeve të fundvitit, familja e ftoi të qëndronte me ta. Ajo filloi të angazhohej në aktivitete si vullnetarizëm, kurse aktrimi dhe kujdesi për një qen që prindërit ia dhuruan për ta ndihmuar të rimerrte veten. Ata besonin se Sophie ishte në rrugë të mbarë. Por shumë nga veprimet dhe listat me zakone të shëndetshme që ajo i tregonte familjes, si ushtrimet e mëngjesit apo shëtitjet në diell, ishin gjeneruar nga chatbot-i.

Më 4 shkurt, Sophie la shtëpinë pa lajmëruar askënd dhe disa orë më vonë, familja gjeti letrën e lamtumirës një tekst që më vonë rezultoi të ishte riformuluar nga ChatGPT për të qenë “më pak i dhimbshëm”.

Nëna e saj, Laura Reiley, shprehet se nuk dëshiron të fajësojë drejtpërdrejt teknologjinë, por thekson se duhet të ekzistojnë më shumë masa mbrojtëse për përdoruesit vulnerabël.

“Nuk mund t’i thuash dikujt që po mendon të vrasë veten të bëjë frymëmarrje të thellë. AI nuk është mik, nuk është terapist, nuk është njeri,” u shpreh ajo për mediat amerikane.

Sipas saj, shumë të rinj mund të ngatërrojnë kufirin mes një mjeti virtual dhe ndihmës së mirëfilltë psikologjike.

Ndërkohë, kompania OpenAI ka deklaruar se po punon për të zhvilluar sisteme që do të ndihmojnë chatbot-in të identifikojë situatat e krizës dhe, në të ardhmen, ndoshta të njoftojë autoritetet për raste të rrezikut të lartë.

Familja e Sophie-s ka ndarë publikisht këtë histori me qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin për përdorimin e teknologjisë në mënyrë të kujdesshme, veçanërisht mes të rinjve që përballen me depresion, ankth dhe ndjenja vetmie. Sipas tyre, teknologjia mund të jetë një ndihmë plotësuese, por kurrsesi një zëvendësim për terapinë dhe kujdesin profesional.