Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e garantimit dhe konsolidimit të pavarësisë së sistemit gjyqësor, ndërsa solli në vëmendje “vendimin historik të pushtetit ekzekutiv për të mbajtur duart larg nga vendimmarrjet e prokurorëve dhe gjykatësve”.
Gjatë prezantimit të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, kryeministri Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme që në të gjithë përditshmërinë e punës së kësaj ministrie, të mos humbë nga vëmendja thelbi i misionit tonë në raport me drejtësinë.
“Kjo është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur edhe në realitet”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kjo është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë dhe që jemi ne pikërisht që duhet ta garantojmë dhe konsolidojmë në këtë fazë”.
“Kjo arrihet duke këmbëngulur në atë vendimin historik që kemi marrë për të mbajtur duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia dhe nuk duam ta bëjmë këtë dhe nuk do ta bëjmë këtë as sot dhe as nesër”, tha Rama.
Aq më tepër, vijoi kryeministri, “në rastet kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e vet.
“Unë e besoj që kjo rikujtesë është shumë e rëndësishme për të gjithë ju edhe për pjesën e drejtimit politik të ministrisë, por edhe për pjesën e shërbimit civil të ministrisë. Ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare edhe diferencën. A do të jetë Shqipëria një vend anëtar i BE-së me një drejtësi të pavarur si në çdo vend të BE-së, të garantuar njëherë e mirë, apo do të bjerë Shqipëria në tundimin e kthimit mbrapa duke vënë në rrezik edhe vetë anëtarësimin në BE”, shtoi Rama.
Rama theksoi se largimi i duarve të pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, seleksionimi, përzgjedhje, promovimi dhe shkarkimi të prokurorëve dhe gjykatësve është një premisë e domosdoshme për të garantuar një drejtësi funksionale, demokratike dhe të pavarur për të ardhmen e vendit.
“Kjo nuk bëhet për Brukselin, as për Berlinin, apo Parisin, por natyrisht që ai objektiv nuk e ka rastësisht të mishëruar brenda domosdoshmërinë e një drejtësie të pavarur. Te drejtësia bëhet dallimi i madh mes një hapësire me liri dhe të drejta demokratike të garantuara dhe një hapësire ku liritë dhe të drejtat demokratike janë relative dhe gëzimi ose jo i tyre varet nga rrethana jashtë frymës dhe gërmës së Kushtetutës dhe ligjit”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se ky është një proces lindjeje i vështirë, pasi nuk është absolutisht e thjeshtë të lindë, të marri formë dhe të rritet krijesa e një drejtësie të pavarur në një shtrat të përgjakur e të ndotur për mbi 100 vite të një drejtësie që nuk ka qenë kurrë e lirë, e pavarur dhe e paanshme por ka qenë gjithmonë mashë e interesave të pushtetit politik.
Por, vijoi Rama, “ne e kemi bërë zgjedhjen tonë dhe nuk ndryshojmë, por jemi të detyruar që këto lloj dhimbjesh t’i përjetojmë si pjesë edhe të qenies tonë politike, qoftë kur dikush ndër ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur duke përdorur disproporcionalisht forcën”.