Jose Mourinho është prezantuar si trajneri i ri i Benficës, vetëm pak javë pas shkarkimit nga Fenerbahçe për shkak të dështimit në kualifikimin për Champions League.
Portugezi, i vetëquajturi “Special One”, ka firmosur një kontratë dyvjeçare dhe sipas Salary Leaks do të përfitojë rreth 6 milionë euro në sezon.
Megjithatë, presidenti i klubit, Rui Costa, gjatë prezantimit në konferencë për shtyp, zbuloi se kontrata e Mourinhos përfshin një klauzolë të veçantë ndërprerjeje.
“Ka një klauzolë në fund të sezonit që i jep klubit opsionin për të vazhduar me trajnerin ose jo,” tha Costa.
Ai shtoi: “Po angazhojmë një trajner për Benficën që ka peshë globale; është një nga emrat më të respektuar në botë. Po sigurojmë të ardhmen e Benficës me një trajner të shkëlqyer.”
Sipas të përditshmes portugeze O Jogo, klauzola është e vlefshme në të dyja drejtimet:
Nëse Benfica e shkarkon Mourinhon në fund të sezonit 2024/25, kompensimi do të jetë dukshëm më i ulët sesa të paguante pagat deri në vitin 2026/27.
Po ashtu, nëse Mourinho vendos të largohet për ndonjë klub tjetër, ai do të detyrohet t’i paguajë Benficës një shumë të barabartë.
Kjo klauzolë është menduar për të mbrojtur klubin në rast se zgjedhjet presidenciale të tetorit sjellin ndryshime në drejtim. Presidenti i ri i mundshëm do të ketë mundësinë të ndërpresë bashkëpunimin me Mourinhon pa pasoja të mëdha financiare.
Kur u pyet nëse Mourinho ishte një “aset elektoral” për fushatën e tij, Rui Costa u përgjigj:
“Jam këtu si president i Benficës, jo si kandidat. Detyra jonë është e ardhmja e klubit. Mourinho është trajner i Benficës sepse besojmë se i ka të gjitha kualifikimet për të udhëhequr një klub të këtij niveli.” /GazetaExpress/