Në EURO n’T7 sonte është diskutuar realizimi i premtimeve nga 27 kryetarë komunash, të cilët gjithsej kanë dhënë 1,815 premtime elektorale: 51% janë realizuar në tërësi, 13% janë gjysmë të përmbushura, 15% të filluara dhe 21% nuk kanë nisur fare.
Bekim Salihu nga Instituti GAP, që ka monitoruar këto premtime, tha se nga zgjedhjet e fundit kandidatët për kryetarë janë treguar më të kujdesshëm në dhënien e premtimeve.
Sipas tij, tani kandidatët merren me projekte konkrete dhe jo me premtime politike të paarritshme siç kanë qenë më herët, si p.sh. bashkimi i Mitrovicës apo rregullimi i furnizimit me energji elektrike.
Një tjetër veçori, sipas Salihut, është se premtimet infrastrukturore nuk janë më në qendër të agjendës dhe janë zëvendësuar me premtime në fushën e kulturës, sportit dhe çështjeve të tjera.
“Numri i premtimeve është rritur dukshëm. Deri në vitin 2017 gjithsej kanë qenë rreth 1,500 premtime elektorale, ndërsa vetëm në vitin 2021 nga 27 kryetarë kemi monitoruar 1,815 premtime. Ka kandidatë që japin premtime që nuk janë në mundësitë e tyre për t’i realizuar. Por rritja e numrit të premtimeve lidhet edhe me rritjen e konkurrencës dhe problemet me të cilat përballen qytetarët,” ka thënë Salihu.
Në anën tjetër, shumë premtime nuk janë realizuar për shkak të problemeve të mëdha buxhetore që komunat kanë pasur me kontestet gjyqësore lidhur me kontratën kolektive, ku për katër vite komunave iu janë marrë 236 milionë euro.
“Ky ka qenë mandati më i rëndë për komunat, nisur nga fakti se filloi në periudhën e pandemisë, u vazhdua me rritjen e çmimeve dhe bllokimin e investimeve, pasojat nga kontrata kolektive, bllokimi i fondeve ose projekteve të financuara nga BE-ja dhe tërheqja e USAID-it, që e ka rënduar dukshëm gjendjen në komuna,” ka shtuar Salihu.
Numri më i madh i premtimeve të përmbushura nga kryetarët aktualë është në fushën e administratës dhe shëndetësisë, ndërsa më pak janë realizuar në infrastrukturë, shërbime publike dhe urbanizëm.
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...